Secondary Adv

Depozitat me afat ne leke rriten per here te pare pas nje dekade

Depozitat me afat në lekë po rriten për herë të parë pas dhjetë vitesh radhazi në rënie.

 

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se që prej muajit prill të këtij viti, depozitat me afat i janë kthyer rritjes me bazë vjetore, për herë të parë që nga viti 2013.

 

Rritja ka vijuar gjatë gjithë tremujorit të dytë dhe në fund të muajit qershor, depozitat me afat në monedhën vendase arritën vlerën e 205.4 miliardë lekëve, në rritje me 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Duket se rritja e normave të interesit të depozitave ka shtuar stimujt për publikun që të vendosë kursimet në depozita me afat. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin qershor norma mesatare e interesit të depozitave të reja me afat në lekë arriti në 2.02%.

 

Interesi i depozitave është rritur ndjeshëm që nga fundi i vitit 2023, kur shënonte nivelin 1.64%, si edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë, kur kishte qenë 1.46%.

 

Rritja e normave të interesit të depozitave po nxitet nga një kërkesë më e lartë e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase për monedhën vendas nga sektori bankar. Në pjesën e parë të këtij viti po vërehet një rritje me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase.

 

Për 6-mujorin 2024, kredia e re në lekë u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Nga ana tjetër, rritja e depozitave në lekë në përgjithësi vitet e fundit ka qenë e ngadaltë, duke reflektuar edhe një efekt të fortë shtrëngues të politikës fiskale. Kjo ka shtuar nevojën e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase dhe ka rritur normat e interesit të depozitave në lekë.

 

Duke filluar nga viti 2014, depozitat me afat në lekë nisën një cikël rënieje, që u ndikua sidomos nga ulja graduale e normave të interesit. Kursimet në banka filluan të dominoheshin kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.

 

As ndryshimi i kursit të politikës monetare në vitin 2022 dhe rritja e shpejtë e normës bazë të interesit nuk mjaftoi për të sjellë një ringritje të shpejtë të depozitave me afat, megjithëse ritmet e rritjes u ngadalësuan.

 

Vetëm këtë vit, depozitat me afat në lekë po i kthehen rritjes, të mbështetura edhe nga rritja e normave të interesit.

 

Megjithatë, cikli i rritjes së normave të interesit duket se ka arritur majën, madje në muajin korrik edhe Banka e Shqipërisë aplikoi uljen e parë të normës bazë të interesit që prej vitit 2020.

 

Megjithëse ka pasiguri nëse ulja do të vazhdojë më tej për këtë vit, tashmë pritshmëritë për normat e interesit janë zhvendosur qartë në krahun rënës.

 

Megjithatë, përcjellja e sinjaleve të politikës monetare te interesat e depozitave në përgjithësi është më e ngadaltë se te kreditë, ndaj në një afat të shkurtër normat e interesit për depozitat me afat në lekë duket se do të vazhdojnë të jenë në nivele tërheqëse.

 

Burimi: Monitor https://monitor.al/depozitat-me-afat-ne-leke-po-rriten-per-here-te-pare-pas-nje-dekade/


Më të lexuarat