×
Secondary Adv

45 per qind e punonjesve paguhen me pak se 50 mije leke ne muaj bruto

Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 45% të punësuarve sipas deklarimit zyrtar në tatime paguhen nën 50 mijë lekë bruto në muaj.

 

Paga mesatare mujore bruto arriti në nivelin e 75,114 lekëve në tremujorin e dytë të vitit 2024, por gati gjysma e të punësuarve me pagë zyrtare paguhen më pak se 50 mijë lekë në muaj dhe rreth 70% paguhen në nivelin e pagës mesatare në vend.

 

Në totalin e të punësuarve me pagë në tremujorin e dytë, 25% paguheshin deri në pagën minimale.

 

Në kufirin 40,001-50,000 lekë paguhen 20% e të punësuarve. Më tej në kategorinë e pagave 50.001- 60.000 lekë, paguhen 9.4% e të punësuarve dhe në kategorinë 60.001-95.000 lekë 26.8% e të punësuarve që u takojnë më së shumti punonjësve në administratë.

 

Por duke qenë se shumica të punësuarve në këtë nivel pagash përbëhen nga mësues infermierë dhe kishin paga nën nivelin e mesatares deri në qershor 2024, pjesa e të punësuarve me pagë që paguhen nën nivelin e pagës mesatare përbën mbi 70% të të punësuarve.

 

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2023, së paku pesë sektorë në vend kishin paga më të ulëta se mesatarja.

 

Punonjësit e artit, aktiviteteve argëtuese, industrisë, tregtisë, transportit, hoteleve, restoranteve, ndërtimit, bujqësisë dhe peshkimit paguhen në nivelin e pagës mesatare.

 

Në anën tjetër pagat në aktivitet financiare, informacionit dhe komunikimit, administratës publike dhe aktiviteteve të pasurive të paluajtshme kishin paga mbi nivelin e pagës mesatare në tremujorin e dytë të vitit 2024.

 

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se paga mesatare mujore bruto (paga zyrtare e deklaruar në tatime) arriti në 75,114 lekë në tremujorin e dytë ose 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Në krahasim me tremujorin e parë 2024, rritja ishte vetëm 2% njësoj sa inflacioni.

 

Rritja më e lartë ishte në sektorin privat me 6.7%, ndërsa në sektorin publik pagat u rritën vetëm 1.8%.

 

Të dhënat tregojnë se pati rritje agresive të pagave ndërmjet tremujorit të dytë 2021 deri në fund të 2023. Këto zhvillime u nxitën nga rritja e pagave në sektorin publik, sidomos pagës minimale e cila u rrit katër herë ndërmjet tremujorit të dytë 2022 deri në fund të vitit 2023.

 

Niveli i pagës minimale në këtë periudhe arriti nga 30 mijë në 40 mijë lekë. Kjo rritje nxit në paga më të larta në të gjithë nivelet e stimuluar edhe nga politika e qeverisë për të çuar pagën mesatare në sektorin publik në rreth 900 euro.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/45-e-punonjesve-paguhen-me-pak-se-50-mije-leke-ne-muaj-bruto/)


Më të lexuarat