Secondary Adv

Komuniteti i Transportit: Bypass-i i Tiranes eshte vonuar nga rritja e kostove

Bypass-i që ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2025 ka hyrë në një fazë krejt të re.

 

Sekretariati Teknik i Transportit një strukturë që koordinon financimet e BE-së në infrastrukturën rrugore referon se punimet në Bypass-in e Tiranës, një nyje e rëndeshim e Korridorit 8 dhe i Autostradës Adriatik- Joniane dhe që lehtëson trafikun në kryeqytetin e vendit janë vonuar për shkak të rritjes së kostove.

 

Konkluzioni u dha në mbledhjen e fundit të Sekretariatit që u zhvillua në fund të qershorit dhe pala shqiptare nuk mori pjesë.

 

Gjithashtu Sekretariati ka kërkuar informacion të detajuar palës shqiptare për anulimin e koncesioneve për segmentet e tjera të Autostradës Adriatiko- Joniane pjesë e rrjetit kryesor të infrastrukturës rrugore të Europës (TENT).

 

Kontratat koncesionare në Autostradën Adriatiko- Joniane dhe projekti i Bypass-it të Tiranës janë konsideruar si çështje problematike që duhen adresuar nga pala shqiptare.

 

Në vitin 2021 Ministria e infrastrukturës dhe Ekonomisë (MIE) në një analize të posaçme bëri me dije se studimi i fisibilitetit të bypassit të Tiranës dhe projekti i dizajnit kishin përfunduar dhe fillimi i punimeve është gati.

 

Gjatësia e Bypass-it nga Kashari në Mullet në një aks të ri u vlerësua me kosto ndërtimi për 22 kilometrat e saj, 109 milionë euro. Mirëpo me gjithë kostot e tjera që kanë lidhje me shpronësimin dhe përfundimin e plotë të projektit, vlera e përgjithshme e investimit mund të arrijë në 146 milionë euro.

 

Projekti për dizajnimin e hollësishëm të Bypass -it të Tiranës përfundoi me një grant prej 1.4 milionë euro të financuara nga Fondi i Ballkanit për infrastrukturën, i cili mori përsipër edhe financimin e ndërtimit të punimeve.

 

Tani Sekretariati i Transportit referoi se, vonesat për fillimin e punimeve në Shqipëri janë për shkak të rritjes së kostove të projektit.

 

Bypass-i që ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2025 ka hyrë në një fazë krejt të re.

 

Para pandemisë Covid-19 Qeveria shqiptare prezantoi një studim fizibiliteti për ndërtimin e Autostradës -Adriatiko Joniane 316 kilometra për 2.6 miliardë euro. Por pas pandemisë, zyrtarë të qeverisë kanë arsyetuar se kostot e punimeve në rrugë janë rritur.

 

Madje në vitin 2022 u rishikuan me rritje të gjitha kontratat e investimeve për shkak se çmimet e lëndëve të para u rriten edhe me tej pas nisjes së luftës në Ukrainë. Mirëpo tani tregjet janë stabilizuar dhe çmimet e lëndëve të para janë ulur, kryesisht çmimi i energjisë.

 

Për shkak se rritjes së kostove vlera e punimeve në hekurudhën Tiranë-Durrës është rritur edhe me 30 milionë euro.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/komuniteti-i-transportit-by-pass-i-i-tiranes-eshte-vonuar-nga-rritja-e-kostove/)


Më të lexuarat