Secondary Adv

Transfertat kombetare ne euro u rriten me 34 per qind per 8-mujorin

Transfertat e brendshme bankare në euro janë në rritje të shpejtë edhe për këtë vit.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tetë muajt e parë të këtij viti nëpërmjet sistemit të pagesave AIPS Euro janë kryer gjithsej më shumë se 206 mijë transferta kombëtare në euro.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transfertat kombëtare në euro janë rritur me 34%.

 

Rritja është në nivele të përafërta edhe në vlerën e transaksioneve. Për 8-mujorin e vitit 2024, vlera totale e transaksioneve ka arritur në 3.3 miliardë euro, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

 

Të dhënat e transfertave të procesurara në sistemin AIPS Euro janë një indikator për nivelin e lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike dhe tregojnë shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare.

 

Rritja e transaksioneve në euro është gjithashtu një tregues edhe i shtimit të sasisë së valutës që qarkullon në sektorin bankar shqiptar.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit korrik depozitat bankare në monedhën europiane arritën vlerën e 7.63 miliardë eurove dhe prekën një rekord të ri historik.

 

Depozitat në euro janë në rritje me afërsisht 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Megjithatë, rritja e numrit të transaksioneve në euro është paralelisht edhe një tregues i një përdorimi më të madh të kanaleve bankare për kryerjen e pagesave dhe transfertave në përgjithësi.

 

Në veçanti, ngritja e një sistemi kombëtar për transfertat në euro ka pasur ndikim pozitiv, sepse i ka ulur ndjeshëm kostot e këtyre transfertave.

 

Para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

 

Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë.

 

Në të shkuarën, komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

 

Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqipërisë përcaktoi edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

 

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro,

 

totali i komisioneve të aplikuara nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar për transfertat në degë (në formë letër) dhe 0.1% e vlerës për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike.

 

Totali i komisioneve të aplikuara për çdo transfertë nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/transfertat-kombetare-ne-euro-u-rriten-me-34-per-8-mujorin/)


Më të lexuarat