Secondary Adv

Hyn ne fuqi udhezimi per dypunesimin e mjekeve, 2 muaj kohe per te vendosur

Punësimi i mjekëve të institucioneve publike edhe pranë institucioneve shëndetësore private do të zbatohet nëpërmjet rregullave të reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Për mjekët që janë të punësuar në spitalet publike dhe dëshirojnë të punësohen edhe pranë spitaleve apo klinikave private, sipas udhëzimit “Mbi procedurat e verifikimit dhe shqyrtimin e kërkesës së mjekëve të institucioneve publike për të ushtruar profesionin në institucione jopublike,

 

publikimin e të dhënave në regjistrin elektronik, formatin dhe mënyrën e përditësimit të regjistrit” do të bëhet vetëm pas miratimit të kërkesës nga drejtuesit e institucionit shëndetësor pranë të cilit janë të punësuar.

 

Procedurat e udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktojnë se fillimisht mjekët duhet të dorëzojnë një kërkesa te titullari drejtues i institucionit publik pranë të cilit janë të punësuar.

 

Më pas kërkesa do të shqyrtohet për miratim ose jo të saj mbështetur te vlerësimi për ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik dhe ngarkesën e punës që ka në institucionin shëndetësor jopublik.

 

Po ashtu do të vlerësohet edhe ngarkesa mendore dhe fizike e mjekut. Do të vlerësohet gjithashtu edhe korrektësia e mjekut në punë dhe nëse ka konflikt interesi me institucionin ku ai kërkon të dypunësohet.

 

Sipas udhëzimit  bazuar në këto kritere vendimi nga titullari do të merret brenda 10 ditëve.

 

Titullari i institucionit shëndetësor publik vendos mosmiratimin e kërkesës së mjekut, nëse nuk plotësohen kriteret e përmendura në këtë udhëzim.

 

Në rast miratimi të kërkesës, titullari i institucionit njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.

 

Për rastet e rrëzimit të kërkesës mjeku ka afat brenda 30 ditëve të ankohet.

 

Po ashtu udhëzimi përcakton se për mjekët, që me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi ushtrojnë profesionin e tyre njëkohësisht në një institucion shëndetësor publik dhe në një institucion shëndetësor jopublik, paraqesin brenda 2 muajve një kërkesë për vijimin e kësaj marrëdhënieje, sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzimi.

 

Udhëzimi

 

Mjekët e punësuar në institucionet shëndetësore publike, të cilët dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe në institucione shëndetësore jopublike, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë titullarit të institucionit shëndetësor publik ku ushtrojnë profesionin e tyre.

 

Në kuptim të këtij udhëzimi, titullari i institucionit shëndetësor publik konsiderohet funksionari më i lartë në atë institucion.

 

Në rast se vetë titullari kërkon që të paraqesë kërkesë për të ushtruar profesionin në institucione shëndetësore jopublike, ajo i paraqitet për vlerësim dhe miratim sekretarit të përgjithshëm të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, i cili ndjek të njëjtën procedurë vlerësimi, të përshkruar në këtë udhëzim.

 

Mjeku që kërkon të ushtrojë profesionin e tij edhe pranë një institucioni shëndetësor jopublik, në kërkesën e paraqitur duhet të përfshijë informacionin e mëposhtëm:

 

a) emrin dhe mbiemrin;

b) specialitetin (nëse ka);

c) nëse është ose jo anëtar i personelit akademik në një institucion të arsimit të lartë (IAL) publik ose jopublik, duke dhënë edhe ngarkesën përkatëse, nëse ushton këtë funksion;

ç) institucionin shëndetësor jopublik ku dëshiron të ushtrojë profesionin;

d) statusin e tij në institucionin shëndetësor jopublik (nëse është ortak/aksionar, administrator, i punësuar apo tregtar); e) specialitetin që kërkon të ushtrojë;

f) kohëzgjatjen e kësaj marrëdhënieje (me afat ose pa afat);

g) koha dhe orari gjatë së cilës mjeku ushtron profesionin në institucionin shëndetësor jopublik.

 

Nëse kërkesa nuk përmban të gjitha elementet e nevojshme, titullari i institucionit i jep mjekut një afat 5-ditor për plotësimin e të metave. Nëse të metat nuk plotësohen brenda këtij afati, titullari vendos mosshqyrtimin e kërkesës.

 

Titullari i institucionit shëndetësor publik, gjatë vlerësimit për miratimin ose jo të kërkesës së mjekut, merr në konsideratë:

 

a) ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik;

b) ngarkesën mendore dhe fizike që kërkohet për llojin e specialitetit që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik dhe atë që kërkon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik.

 

Për vlerësimin e këtij aspekti, titullari i referohet të dhënave shkencore të publikuara, që kanë të bëjnë me specialitete të ndryshme mjekësore, vendase dhe të huaja;

 

c) korrektësinë e mjekut në respektimin e orarit të punës, para paraqitjes së kërkesës;

d) mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik;

e) krahasimin e orëve mujore të punës që ushtron në institucionin shëndetësor publik, me orët e punës që propozon të ushtrojë në institucionin shëndetësor jopublik;

f) mundësinë e konfliktit të interesit;

g) nëse ka apo jo një pozicion drejtues në një institucion shëndetësor publik apo në Universitetin Mjekësor.

 

Bazuar në kriteret e sipërpërmendura, titullari i institucionit shëndetësor publik, brenda 10 ditëve, duhet të vendosë, në mënyrë të arsyetuar:

a) mosmiratimin e kërkesës;

b) miratimin e kërkesës.

 

Në rast miratimi të kërkesës, titullari i institucionit njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.

 

Titullari i institucionit shëndetësor publik vendos mosmiratimin e kërkesës së mjekut, nëse nuk plotësohen kriteret e përmendura në këtë udhëzim.

 

Kundër vendimit për mosshqyrtimin e kërkesës, sipas pikës 4, ose mosmiratimin e kërkesës, sipas pikës 6 të këtij udhëzimi, mjeku ka të drejtë të ankohet brenda 30 ditëve pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, duke respektuar kërkesat e neneve 130–135 të Kodit të Procedurave Administrative.

 

Nëse titullari i institucionit shëndetësor publik nuk shprehet brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës, mjeku ka të drejtë të ankohet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, brenda 7 ditëve nga përfundimi i këtij afati.

 

Ministri përgjegjës për shëndetësinë, në përputhje me nenin 43 të Kodit të Procedurave Administrative, cakton një njësi përgjegjëse për vlerësimin e ankimit të paraqitur.

 

Njësia përgjegjëse shqyrton ankimin, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative, brenda një afati 10-ditor, dhe vendos për detyrimin e titullarit të shprehet, nëse është vendosur mosshqyrtimi i kërkesës.

 

Në raste të tjera, njësia përgjegjëse, mbasi shqyrton ankimin, brenda afatit 30-ditor, i propozon ministrit përgjegjës për shëndetësinë:

a) miratimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik;

b) ndryshimin e vendimit të titullarit të institucionit shëndetësor publik dhe miratimin e kërkesës.

 

Ankimi i paraqitur sipas pikës 10 të këtij udhëzimi shqyrtohet nga njësia përgjegjëse, brenda 10 ditëve, e cila vendos t’i kërkojë titullarit të institucionit publik që të mbajë qëndrim brenda 5 ditëve. II.

 

REGJISTRI PUBLIK ELEKTRONIK

 

Regjistri Publik Elektronik përmban këto të dhëna për mjekun:

a) emri;

b) mbiemri;

c) institucioni shëndetësor publik ku ushtron profesionin;

d) specialiteti (nëse ka);

e) nëse është e zbatueshme, të dhëna lidhur me punësimin e tij si personel akademik pranë Universitetit Mjekësor;

f) institucioni shëndetësor jopublik, për të cilin është pranuar kërkesa për ushtrimin e profesionit;

g) statusi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik (ortak/aksionar, administrator, i punësuar, apo tregtar);

h) specialiteti që ushtron në institucionin shëndetësor jopublik;

i) koha dhe orari gjatë së cilës mjeku ushtron profesionin në institucionin shëndetësor jopublik.

 

III. NDRYSHIMI I TË DHËNAVE

 

Në çdo rast që ka ndryshime në të dhënat në kërkesën e paraqitur ose të dhënat që publikohen në Regjistrin Publik Elektronik, mjeku njofton titullarin e institucionit shëndetësor publik, i cili ndjek, me ndryshimet përkatëse, parashikimet e pikave 3–5 të këtij udhëzimi, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës.

 

Në rast mosmiratimi të këtyre ndryshimeve ose mosshprehjes nga ana e titullarit, mjeku ka të drejtë të ankohet sipas parashikimeve të pikave 9–14 të këtij udhëzimi.

 

DISPOZITA TRANZITORE

Mjekët, që me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi ushtrojnë profesionin e tyre njëkohësisht në një institucion shëndetësor publik dhe në një institucion shëndetësor jopublik, paraqesin brenda 2 muajve një kërkesë për vijimin e kësaj marrëdhënieje, sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzimi.

 

Nëse kërkesa është e paplotë, veprohet sipas pikës 4 të këtij udhëzimi.

 

Titullari i institucionit shëndetësor publik vlerëson kërkesën e paraqitur, sipas parashikimeve të pikës 5 dhe disponon sipas pikës 6 të këtij udhëzimi.

 

Në rast miratimi të kërkesës së paraqitur, titullari i institucionit njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.

 

Në rast mosshqyrtimi të kërkesës së paraqitur ose mosmiratimit të saj, mjeku ka të drejtë të paraqesë ankim, dhe në këtë rast procedohet sipas parashikimeve të pikave 9–14 të këtij udhëzimi.

 

Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/hyn-ne-fuqi-udhezimi-per-dypunesimin-e-mjekeve-2-muaj-kohe-per-te-vendosur/)


Më të lexuarat