Secondary Adv

Financat nuk kane gati planin, vonohet rivleresimi i pronave me 5 per qind

Kryeministri Rama premtoi se Parlamenti do të miratojë brenda shtator 2024 projekt-ligjin që mundëson rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në vlerën 5%.

 

Por, kur shtatori tashmë është në fund të tij, premtimi i Ramës mbeti në letër dhe ende nuk është e qartë se kur Parlamenti do të votojë këtë nismë.

 

Në maj të këtij viti, deputetja Blerina Gjylameti paraqiti nismën për vendosjen e një afati të ri ligjor për rivlerësimin e pronave. Në projektin e ligjvënëses socialiste parashikohej që vlera e rivlerësimit do të ishte 3 përqind.

 

Por, pasi kjo nismë kishte nisur të shqyrtohej në komisionet parlamentare, pati një ndërhyrje nga kryeministri Rama, i cili deklaroi se vlera e rivlerësimit do të rritej në 5 përqind.

 

Në një takim me kryebashkiakët socialistë, në 17 Korrik të këtij viti, kreu i qeverisë deklaroi se: “E kemi nisur punën, dhe do konkludojmë brenda 40 ditëve të ardhshme, do rindërtojmë një proces që rivlerësim të jetë i hapur. Fund shtatori me fund shtatori. Rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i fundit do jetë me 5%”.

 

Por, fundi i shtatorit tashmë erdhi, ndërkohë që premtimi i Ramës u shua. Rolin për të justifikuar këtë premtim të mbajtur të kryeministrit e ka marrë Eduard Shalsi, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

 

“Në dy javët e para të tetorit, i gjithë procesi do të jetë zyrtarizuar. Qeveria, konkretisht ministria e finacave është në fazën finale të qëndrimit që ka për këtë fushatë. Ne në komision kemi rënë dakort që norma tatimore të jetë 5%,”, citohet Eduard Shalsi nga mediat.

 

Mbetet për t’u parë nëse do të respektohet ky afat i ri. Qeveria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të marrë masat dhe përgatitur planin e qartë, kjo pasi edhe Rama foli me bindje dy muaj më parë se çdo gjë ishte gati për miratim.

 

Por tashmë, me ndryshimin e titullarit në Ministrisë e Financave, duket se gjërat kanë ngecur. Ministri i ri, Petrit Malaj, duket se po merr shumë kohë për të vënë firmën në planin e detajuar./Burimi: Oranews.al


Më të lexuarat