Secondary Adv

Ndertimet e reja dhe rritja e referencave, Bashkia e Tiranes 93 mln euro arketime nga taksat

Shtimi i lejeve të ndërtimit dhe rritja e referencës së çmimeve të apartamenteve ka bërë që Bashkia e Tiranës të arkëtojë të ardhura rekord nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për 8-mujorin e këtij viti.

 

Për periudhën janar-gusht 2024, realizimi i të ardhurave nga Bashkia e Tiranës për taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja arriti në vlerën e 9,3 mld lekëve apo rreth 93 mln euro.

 

Të dhënat u bënë të ditura në raportin e monitorimit të buxhetit të bashkisë Tiranë për 8 mujorin 2024. Realizmi i të ardhurave tejkalon dyfishin e planit të miratuar nga bashkia e Tiranës për 8 mujorin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, teksa plani fillestar për 8 mujorin ishte 4.2 miliardë lekë.

 

Teksa për gjithë vitin 2024 pritej të arkëtoheshin rreth 6.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, vetëm për 8 mujorin janë mbledhur 47% më shumë.

 

Të ardhurat e mbledhura në 8 muaj janë gjithashtu rreth 30% më të larta sesa realizimi mesatar vjetor i viteve të mëparshme. Në 2022 nga taksa e ndikimit në infrastrukturë Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliard lekë dhe 7 miliardë lekë për 2023.

 

Për vitet 2018-2023 janë arkëtuar në total 40 mld lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Arkëtimet e 8- mujorin me vlerë 9,3 mld lekë janë më të lartat të realizuara ndër vite të plota nga bashkia e Tiranës.

 

Rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve që nisi zbatimin nga muaji gusht 2023 dhe  i sipërfaqeve të dhëna të lejeve të ndërtimit janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar automatikisht në dyfishimin e arkëtimeve, kundrejt planit të parashikuar.

 

Bashkia e Tiranës, në raportin e monitorimit të treguesve të buxhetit për 8 mujorin 2024, veçon se realizimi me vlera të larta ka ardhur dhe si pasojë e çmimeve të referencës së përdorura për llogaritjen e kësaj takse të cilat kanë ndryshuar në korrik të vitit 2023.

 

Kjo taksë mban peshën më të madhe të të ardhurave që Bashkia Tiranë grumbullon vitet e fundit, përkatësisht këtë 8 mujor në masën 52 % përkundrejt realizimit total.

 

Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

 

Për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat prej muajt korrik 2023 (zbatimi nis nga muaji gusht) u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.

 

Rritja të tyre pati edhe për 5 komuna të kryeqytetit, si: Kashar, Petrela, Preza, Farka dhe Dajti.

 

Ndryshimet për vendimin nr. 132,datë7.3.2018,të Këshillit të Ministrave, “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike,

 

natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar u botuan në fund të muajit korrik 2023 në Fletoren Zyrtare dhe hynë në fuqi menjëherë pas botimit.

 

Edhe për kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë Erjon Harizi rritja e arkëtimeve për taksën e ndikimit në infrastrukturë është ndikuar tërësisht nga rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve.

 

Në programin buxhetor afatmesëm 2024-2026 gjithashtu nga bashkia e Tiranës parashikoi se realizimi i të ardhurave nga kjo taksë do të tejkalojë planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve.

 

“Për periudhën e planifikuar, të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të mbështeten kryesisht në zhvillimet e reja që pritet t’i shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – plan ky që i hap rrugë zhvillimit”, citohet në dokument.

 

Ndikimin në rritjen e të ardhurave ka dhënë edhe shtimi i sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit.

 

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar qershor 2024, janë dhënë gjithsej leje sipas sipërfaqes prej 898,640 m2, nga 660,452 m2 në 6-mujorin e parë 2023, me zgjerim prej 36%.

 

Rritja e çmimeve të apartamenteve

Mbi çmimet e referencës llogaritet edhe taksa 8% e ndikimit në infrastrukturë, strehimit 3% dhe taksa 15% e shitblerjes.

 

Nga Shoqata e Ndërtuesve më herët është pohuar se nga ndryshimet e çmimit të referencës detyrimi për taksat rritet mesatarisht 40% për metër katror në Tiranë.

 

Nga rritja e kostos së taksave çmimet e apartamenteve në Tiranë sipas Shoqatës së Ndërtuesve u rritën 200 deri 300 euro për metër katror.

 

Për ndërtuesit këto taksa jo vetëm po ndikojnë te kostot, por janë të miratuara në kundërshtim me legjislacion shqiptar. Sektori i ndërtimit ka kërkuar heqjen e këtyre taksave, pasi nëse ndërtuesit do të lehtësohen prej tyre do të nisë rënia e çmimeve të apartamenteve.

 

Në gjykatën Kushtetuese është zhvilluar seanca e parë për shqyrtimin e padisë së Shoqatës së Ndërtuesve për shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar në muajin korrik 2023 për rritjen e çmimeve të referencës.

 

Në seancën dëgjimore në Kushtetuese nga ndërtuesit u ngrit shqetësimi se rritja e çmimeve të referencës rrit automatikisht detyrimin për taksat, për rrjedhojë kostot e ndërtuesve.

 

“Fitimi i pritshëm do të cenohet ndjeshëm nga rritja e taksave, që do të llogariten me çmimet e reja të referencës, si detyrimi për taksën 8% të ndikimit në infrastrukturë, tatimi 15% në momentin e shitjes përfundimtare, dhe shtrin efektin edhe te taksa 3% për strehimin social.

 

VKM aplikohet në mënyrë të menjëhershme dhe ka një rritje drastike të çmimeve të referencës.

 

Mbështetur nga rezultatet e sondazheve se në treg ka rritje të çmimeve të shitblerjes, nuk është argumenti i duhur për rritjen nga 30 deri 60% të çmimeve të referencës”, pohoi përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Ndërtuesve në seancën gjyqësore.

 

Më 7 Tetor është përcaktuar mbajtja e seancës së radhës për padinë e Shoqatës së Ndërtuesve./Burimi: Monitor https://monitor.al/ndertimet-e-reja-dhe-rritja-e-referencave-bashkia-e-tiranes-arketime-rekord-93-mln-euro-nga-taksat/


Më të lexuarat