Secondary Adv

Bum kerkesash per kredi, por rekord refuzimesh nga bankat, 1 ne 4 aplikime nuk pranohet

Bankat shtrëngojnë dorën në dhënien e kredisë për qytetarët, për shkak të frikës mbi fuqinë e tyre për të kthyer huanë.

 

Ndikim në këtë qasje ka dhënë kryesisht kërkesa e lartë për kredi për blerje banese, në kushtet kur tregu i pasurive të paluajtshme vetëm shtrenjtohet.

 

Në gjysmën e parë të vitit bankat kanë refuzuar 25% të kërkesave për kredi, shifër rekord sipas Bankës së Shqipërisë. 

 

Përballimi i kostove të jetesës, shpenzimet e papritura, nevoja për investime si dhe blerja e një apartamenti, kanë sjellë bum aplikimesh për kredi si nga qytetarët por edhe bizneset.

 

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit janë bërë 72.418 aplikime për kredi pranë bankave, nga të cilat 91% (ose 65,729 aplikime) i përkasin qytetarëve, e pjesa tjetër janë nga sektori i bizneseve.

 

Por përballë ‘etjes’ për kredi, bankat janë treguar strikte ndaj qytetarëve kryesisht, duke refuzuar gati 1/4 e kërkesës që ata kanë bërë për kredi.

 

Kërkesa për kredi e qytetarëve e udhëhequr nga nevoja për konsum dhe për blerje pasurish të paluajtshme, ka hasur në kushte të shtrënguara në kreditim nga bankat kryesisht tek bankat me kapital të huaj, thotë Banka e Shqipërisë.

 

25% ose 18,104 kërkesa për kredi pothuajse të gjitha tek grupi i individëve janë refuzuar bankat tregtare, për shkak të shtrëngimit të kushteve të kredisë për këtë kategori që është diktuar kryesisht nga frika e aftësisë paguese dhe shtrenjtimi i banesave.

 

Çmimet e pasurive të paluajtshme shikohen si faktor rreziku për kthimin e kredisë për shkak se kërkesa për hua është tepër e lartë, pasi shtrenjtimi nuk ka të ndalur.

 

Rreth 38% e kredisë së dhënë nga bankat nga janari deri në qershor ishte për pasuri të paluajtshme, duke bërë që stoku i kredisë për këtë segment të jetë 180 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat