Secondary Adv

Ndryshojne procedurat e licencimit per agjencite ndermjetesuese te punesimit

Kërkesat për miratimin e licencave të agjencive ndërmjetësuese për punësim do të shqyrtohen dhe miratohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

 

Bizneset ndërmjetësuese të punësimit të licencuara do t’i nënshtrohen kontrollit periodik 1 herë në vit. Në rast se konstatimit të shkeljeve do të propozohet heqja e licencës.

 

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi “Për procedurat e shqyrtimit, vlerësimit dhe miratimit të kërkesave për licencim, të subjekteve që kryejnë veprimtari të ndërmjetësimit në tregun e punës dhe monitorimin e tyre”.

 

Detyrim për aplikuesin do të jetë dorëzimi i dokumentacionit provues dhe shoqërues për plotësimin e kritereve të posaçme të licencimit për nënkategorinë X.2.A., përfshirë edhe kërkesën.

 

Udhëzimi i ri parashikon që kërkesat e aplikuesve për licencë për veprimtari ndërmjetësimi në tregun e punës pas QKB-së, do t’i kalojnë  elektronikisht Drejtorisë së Politikave të Punësimit dhe Migratore, në Ministrinë Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

 

Nga kjo drejtori kërkesa do të regjistrohet nëse për aplikuesin nuk konstatohen mangësi dokumentacioni. Në të kundërt kërkesa do të refuzohet.

 

Me marrjen e kërkesës inspektimet në terren te subjektet do të bëhen nga Inspektorati Shtetëror. Konstatimet gjatë inspektimit do të dokumentohen të pasqyruara në procesverbal që do të firmosen nga të dyja palët.

 

Më tej udhëzimi parashikon se personi përgjegjës në drejtorinë përkatëse në ministrinë përgjegjëse për çështjet e punës, përgatit dosjen e cila kalon për vendimmarrje te ministri.

 

Ministri do të vendosë miratimin apo refuzimin e  kërkesës për pajisje me licencë. Në rast se kërkesa miratohet, vendimi miratues, publikohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila pajis me licencë subjektin ofrues të ndërmjetësimit në punë me kodin X.2.A.

 

Po ashtu subjektet e licencuara sipas këtij udhëzimi, i nënshtrohen një kontrolli periodik të paktën 1 herë në vit, i cili kryhet nga inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës.

 

Kontrolli periodik synohet mbi verifikimin dhe ruajtjen e kritereve të licencimit si dhe për dokumentimin e të dhënave të/për aktivitetin nga subjekti i licencuar në përputhje me përcaktimet kuadrit rregullator në fuqi.

 

Pas licencimit subjekti duhet të hartojë dhe të ruajë në vazhdimësi të dhënat dhe dokumente për ndërmjetësimet.

 

Udhëzimi gjithashtu parashikon se subjektet e licencuara raportojnë elektronikisht çdo 6 muaj të dhënat për numrin e të punësuarve  në drejtorinë përkatëse në ministrinë përgjegjëse për çështjet e punës. Mbi të dhënat e raportuara do të krijohet një databaze.

 

Nëse gjatë kontrollit të subjekteve të licencuara konstatohet se nuk janë respektuar kushtet e kërkuara subjekti licencuar urdhërohet të plotësojë detyrimet brenda një afati të arsyeshëm.

 

Nëse subjekti nuk përmbush detyrimet brenda afatit, drejtoria përkatëse në ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit, i propozon ministrit, pezullimin ose heqjen e licencës.

 

QKB bizneseve të ndërmjetësimit: 3 muaj afat për aplikimin e ndryshimit të kritereve

 

Qendra Kombëtare e Biznesit gjithashtu ka njoftuar subjektet që disponojnë licence për formim profesional apo ndërmjetësim në tregun e punës se kanë 3 muaj afat të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, sipas kritereve të reja.

 

Në të kundërt QKB kujton se bizneseve do t’u revokohet licenca.

 

“Ju njoftojmë se, referuar pikës 6, të VKM-së nr. 514, datë 1.8.2024 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 538, date 26.5.2009, te Këshillit te Ministrave,

 

“Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar:

 

Të gjitha subjektet, që disponojnë licence për formim profesional dhe/ose ndërmjetësim në tregun e punës, brenda afatit kohor prej 120 ditësh kalendarike, nga data e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve,

 

kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja me qëllim mbajtjen e licencës, në të kundërt, ajo do të revokohet.” 

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/ndryshojne-procedurat-e-licencimit-per-agjencite-ndermjetesuese-te-punesimit/)


Më të lexuarat