Secondary Adv

Permbytjet ne Vlore, KLSH nis auditimin e institucioneve per zbulimin e shkaqeve

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur ditën e sotme një auditim në lidhje me situatën e përmbytjeve në Qytetin e Vlorës shkaktuar pas reshjeve të dendura të 4 tetorit.

 

Pjesë e këtij kontrolli do të jenë disa institucione, ku do të auditohet me prioritet për shkaqet që çuan në këtë situatë problematike.

 

Grupi i auditimit ka nisur tashmë punën pranë këtyre institucioneve si dhe në terren.

 

Pritet që pjesë e këtij auditimi të jenë institucionet e pushtetit lokal si dhe ato qëndror, si për shkaqet që çuan në përmbytjet po ashtu edhe për menaxhimin e situatës nga institucionet përkatëse.

 

Auditimi i cili është ngritur me prioritet mbi situatën dhe në mënyrë emergjente, do të zgjasë disa ditë ku në fund do të jetë dhe raporti përkatës.

 

Prefekti i Vlorës Kristo Koço ka paralajmëruar se do të vihen para përgjegjësisë të gjitha ata të cilët nuk reaguan në kohë më 4 tetor kur Vlora u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe çarja e kanalit të ujrave të larta shkakoi përmbytje të mëdha në qytet.

 

Në një intervistë për Report Tv, ditën e sotme ai u shpreh se problem kanë qenë kanalizimet dhe pastrimi. 

 

“Përgjegjësia do mbahet për këdo që s’ka reaguar në kohë. Administrata do shkundur, nuk mund të paguhen me taksat e popullit dhe të mos bëjnë detyrën si duhet.

 

Problem kanë qenë kanalizimet dhe pastrimi. Megjithatë do të bëhet analizë”, tha ai për Report Tv.

 

Prefekti u shpreh se qytetarët të cilët kanë pasur dëme në banesa e biznese duhet që të ndihmohen.

 

Sipas tij, duhet që të ishte bërë reagimi në kohë nga ana e institucioneve në mënyrë që të ishin marra masa nga qytetarët.  

 

"Unë si prefekt ndjej përgjegjësinë personale dhe të institucionit që drejtoj dhe në vazhdimësi do të diskutojmë me seriozitet për shkaqet që çuan në këtë situatë.

 

Ajo që ka rëndësi është që ne duhet të gjendemi pranë qytetarëve që janë dëmtuar nga kjo situatë ti ndihmojmë dhe të shikojmë dëmshpërblimet.

 

Pas kësaj është imediate që të diskutojmë dhe analizojnë situatën e kanalizimeve nëntokësore. Nuk mundemi përtej asaj që ishte tre orë me 180 mm shi, por ne duhet të jemi të pregatitur për këto situata.

 

Na del për detyrë të shikojmë mënyrën më të mirë të organizimit me emergjencat për logjistikën e duhur. Do parë që në fillim mënyra e paralajmërimit dhe marrja në kohë të masave apo reagimi në kohë.

 

Fillimisht duheshin lajmëruar njerëzit që të marrin masa që t’na ndihmonin për të minimizuar këto dëme', tha ai për Report Tv.  /Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat