Raporti i BSH-se - Kredite, bankat doreshtrenguara
Edhe pse kreditimi ka shfaqur shenja gjallërimi në tremujorin e dytë të vitit, me një rritje të huas me 4.5 miliardë lekë në muajt prill dhe maj, sërish bizneset nuk e kanë të lehtë që të sigurojnë një kredi nga bankat.
Banka e Shqipërisë evidenton në raportin për “Tendencat në kreditim” në tremujorin e dytë të vitit, se bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit për bizneset. Si faktorë kryesorë që kanë ndikuar këtë ecuri, vlerësohet të jenë situata makroekonomike dhe rreziku i kredisë, ndikuar nga rritja e kredive me problem, tregues që ka arritur në 20% sipas të dhënave zyrtare.
Sipas degëve të ekonomisë, portofoli i kredisë për biznese dominohet nga huaja për sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve.Pesha e kredisë së këtij sektori arriti në 38.1%, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e dytë. Ky portofol shënoi një rritje vjetore prej 2.9% në fund të muajit maj. Kredia për sektorin e ndërtimit shfaqet gjithashtu e përmirësuar.
Kredia për këtë sektor u rrit me 1.7% krahasuar me një vit më parë dhe pesha e tij mbeti në 12.8% të kredisë për biznese në fund të muajit maj. Ndërkohë, kredia për sektorin e industrisë shënoi tkurrje me rreth 2% vit mbi vit.Kjo ecuri duket të jetë ndikuar kryesisht nga reduktimi i kredisë për nënsektorin e prodhimit të energjisë dhe lëndëve të tjera djegëse.