Elbasan-Lekaj, hapen procedurat per mbikeqyrjen e tenderave te rruges 150 mln euro
Një ditë pas çeljes së procedurave të prokurimit për ndërtimin e rrugës Elbasan-Lekaj e ndarë në 6 lote, Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli procedurën për mbikqyrjen e punimeve të këtij projekti.
Në sistemin e APP ky autoritet njoftoi procedurën “Supervizion punimesh Ndertim aksi rrugor Elbasan – Paper Faza I” me fond limit 191 mijë euro, “Supervizion punimesh Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Paper Faza II” me fond limit 182 mijë euro, “Supervizion punimesh Ndërtim aksi rrugor Elbasan – Paperr Faza III” me fond limit 222 mijë euro.
Po kështu u çelën dhe procedurat për “Supervizion punimesh Ndërtim aksi rrugor Paperr – Ura e Grykshit, Faza I” me fond limit 200 mijë euro, “Supervizion punimesh Ndërtim aksi rrugor Paper – Ura e Grykshit, Faza II” 220 mijë euro dhe “Supervizion punimesh Ndërtim aksi rrugor Paperr – Ura e Grykshit, Faza III” 208 mijë euro.
Elbasan-Lekaj cilësohet si projekt i rëndësishëm pasi është pjesë e Korridorit VIII. “Aksi rrugor Elbasan – Lekaj përshkon ultësirën e luginës së Lumit të Shkumbinit nga qyteti i Elbasanit deri në afërsi të grykëderdhjes së tij.
Ky aks rrugor, në gjendjen ekzistuese kalon në rrëzë të kodrave të anës veriore të lumit deri në dalje të qytetit të Peqinit dhe vazhdon më tej në pjesën fushore në drejtim të qytetit të Rrogozhinës, ku bëhet edhe lidhja me korridorin Veri – Jug në vendin e quajtur Bishti i Zhurit.
Kjo rrugë përshkon shumë qendra të banuara me ndërtime të shumta në afërsi të saj. Gjerësia e kësaj rruge si dhe kryqëzimet e shumta nuk përmbushin standardet bashkëkohore teknike dhe të sigurisë për përballimin e fluksit në rritje të lëvizjes së mjeteve. Gjatësia e rrugës është 40.7km.
Rruga kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavaje (Sinaballaj, Rrogozhinë)” thuhet në dokumentet e publikuara nga ARRSH.
Sipas të njëjtave dokumente aksi i ri rrugor Elbasan – Lekaj, pjesë e Korridorit 8, do të fillojë në një pikë të përshtatshme me anashkalimin e Elbasanit, i cili është në fazën e projekt-idesë.
Sipas ARRSH rruga pritet të ketë një gjatësi të përafërt prej rreth 40km me pikë fillimi në lidhjen me anashkalimin e Elbasanit dhe pikë fundore lidhjen me nyje në disnivel në Bishtin e Zhurit ku do të kryqëzohet me korridorin Veri – Jug (Korridori Adriatiko – Jonian, segmenti Lekaj – Konjat).