Secondary Adv

Rritet me 1.3 per qind vlera e huave te aprovuara per bizneset e vogla dhe te mesme

Ka arritur në 188 miliardë lekë vlera e kredive të marra nga bizneset e vogla dhe të mesme në fund të muajit gusht.

 

Konkretisht, gati 58 miliardë lekë është shuma totale e huave të marra nga bizneset e vogla dhe 130 miliardë lekë është huaja e marrë nga bizneset e mesme, pra nga totali prej 188 miliardë lekësh, 69% janë kredi të bizneseve të mesme dhe 31% të atyre të vogla.

 

Statistikat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se totali i kredive të marra nga këto ndërmarrje ka pësuar një rritje me thuajse 1.3% krahasuar me korrikun, ku totali i kredive shënonte 185 miliardë lekë.

 

Kreditë e marra nga bizneset e vogla janë rritur me 2.5%, ndërsa ato të bizneseve të mesme me 0.7%.

 

Bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë 99.8% të ndërmarrjeve aktive dhe kanë gjithashtu rreth 82.1% të të punësuarve në vend.

 

Pavarësisht se këto ndërmarrje japin një kontribut të rëndësishëm në punësim dhe ekonominë shqiptare në tërësi, vlera e kredive të marra është më e vogël krahasuar me bizneset e mëdha.

 

Kjo ndodh për arsye se bizneset e mëdha, pavarësisht se janë në numër më të vogël në krahasim me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shpesh aplikojnë për kredi në vlera shumë më të larta, pasi duan të kryejnë investime më të mëdha.

 

Ndërkohë që sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, edhe pse janë më të mëdha në numër, kanë një përqindje më të ulët të kredive të aprovuara në krahasim me bizneset e mëdha.

 

Kjo edhe për arsye se bankat i perceptojnë me një shkallë më të lartë risku.

 

Për sa i përket tipit të huasë, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë aplikuar më së shumti për kredi afatgjata mbi 5 vjet, ndërsa për sa i takon llojit të monedhës, kreditë e marra në lek vijojnë të jenë dominuese. /Burimi: Scan


Më të lexuarat