
Nis hyrja e mallrave serbe ne Kosove, shtohen kontrollet
Kamioni i parë me produkte serbe ka kaluar pikën kufitare në Merdar pas ndryshimit të masave të sigurisë nga Qeveria e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e kanë hapur të martën pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdare, për kalimin e mallrave nga Serbia, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar në Merdare, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë”, tha Sveçla.
Importimi i mallrave serbe rifilloi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës një ditë më parë për ta hequr ndalesën ndaj mallrave nga Serbia për këtë pikëkalim kufitar.
Sveçla shkroi në Facebook të martën se pikëkalimi në Merdar do të jetë i hapur menjëherë për të gjitha mallrat nga Serbia, por ato së pari duhet t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.
“Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”.
Si shtoi se pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat “në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkoi të hënën ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.
Ai ka thënë se deri në sigurim të skanerëve, në Merdare do të kryhen kontrolle të rrepta.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.
Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.
Grupi “Besa Besë”, ka bërë thirrje për bojkotim të produkteve serbe.
Thirrja e tyre ka ardhur pas ndryshimit të masës së Qeverisë së Kosovës për mallrat serbe, të cilat tash mund të hyjnë në Kosovë për me kontrolle të shtuara dhe të detajuara nga Dogana e Kosovës.
Në një komunikatë për media ky grup ka thënë se ka parë me shqetësim vendim e Qeverisë së Kosovës, për heqjen e kufizimit për mallrat serbe në Merdarë.
“Ne i lusim të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë opinionin që të bojkotojmë produktet serbe. Askush më shumë se qytetarët e Kosovës brez pas brezi se kanë vuajtur nënshkrimin dhe torturën që u bë ndaj popullatës shqiptare,
pasojat e asaj torture të regjimit të Milloshoviqit i kanë vuajtur gjenerata të tëra. Prandaj, s’ka vendim qeveritare as forcë politike më të madhe se vendimi qytetarë.
Qytetarët dashur, atdheu është i Juaji, prandaj vendosni që t’i bojkoton produktet serbe”, thuhet në komunikatën e grupit “Besa Besë”.
Vendimi për heqjen e ndalesës vjen pas trysnisë me të cilën u përball Qeveria kosovare nga Gjermania në veçanti.
Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.
Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë vitin e shkuar.
Masa e sigurisë më pas u ndryshua, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmëprodukteve të nevojshme për prodhim final.
Heqja e masës së sigurisë ndaj produkteve serbe është kushti i Gjermanisë që Kosova të mos përjashtohet nga Samiti i Berlinit që do të nisë më 14 tetor.
/Burimi: Monitor (https://monitor.al/nis-hyrja-e-mallrave-serbe-ne-kosove/)
Më të lexuarat








