Secondary Adv

Mirembajtja e rrugeve, ARRSH rishpall tenderin per tre lote, fondi limit 5 mln euro

Një procedurë prokurimi që ka në thelb mirëmbajtjen e disa rrugëve në rajonin Qendër Lindje në Korçë, është rishpallur sërish.

 

Një procedurë prokurimi që ka në thelb mirëmbajtjen e disa rrugëve në rajonin Qendër Lindje në Korçë, me një fond limit prej 5.4 milionë euro, është rishpallur sërish në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik pas rishikimit të dokumentave.

 

Tenderi në fjalë ka në objekt “Kontratë punimesh dhe Mirëmbajtje të rrugëve nacionale (kontratat e mirëmbajtjes), Rajoni Qendër Lindje Korçë (Rishpallje 3 lote)”,  i cili për herë të parë u shpall në qershor 2024.

 

Ankimimet e bëra në Komisionin e Prokurimit Publik bënë që ky i fundit në korrik të kërkonte modifikim e dokumenteve të prokurimit, duke mos lejuar autoritetin kontraktor që procedura e prokurimit të vijonte.

 

Por cilët janë në fakt lotet e rishpallur pas rishikimit të dokumenteve sipas kërkesës së KPP?

 

I pari

Loti 3: Mirëmbajtje me performancë: Korçë – Ersekë (Rruga e re) (34.2), dhe Deg. Q. e Qarit – Erseke (Rruga e vjetër) (25.1), 55.9 kilometra.

 

Ky aks rrugor lidh qytetin e Korçës me atë të Ersekës, Leskovikut, Përmetit dhe Gjirokastrës. “Është nje aks rrugor nacional i juglindjes me një karrexhatë me dy kahe lëvizje.

 

Eshte i ndarë në 2 segmente rrugore për arsye të specifikave të tij. Segmenti i parë fillon nga qyteti Korçë – Qafa e Qarrit me gjatësi L=17.2 km. Ky segment është ndërtuar i ri në vitet 2015-2018 me gjerësi rruge 7 m dhe me dy sense lëvizjeje. Segmenti i dyte fillon maja e Qafës së Qarrit – Erseke  me gjatësi L= 17.2 km.

 

Është segment rrugor në ndërtim e sipër. ( rruge e re, ne gjurme te re ), me shtrirje nga Qafa e Qarrit drejt luginës së Mollasit e më tej në drejtim të Ersekës me pikë takimi, Unazën Ersekë. Ka një karexhatë me dy sense lëvizje me , gjerësi të rruges 7 m” thuhet në dokumente.

 

I dyti 

Loti 4: Mirëmbajtje me performancë: Unazë – Ersekë (2.1) + Ersekë – Leskovik (42.8) + Rr. Leskovik – Tre Urat (Doganë) (13.7), 58.7 kilometra.

 

Kjo rrugë është një segment që shërben si Unaza e qytetit të Ersekës .Rëndësia e këtij aksi është e madhe pasi si unazë përveç lidhjes së qyteteve Korçës Ersekës, Leskovikut, Përmetit dhe Gjirokastrës, shërben për trafikun e mjeteve të rënda. Është rrugë me një karrexhatë me dy kahe lëvizje.

 

I treti

Loti 5: Mirëmbajtje me performancë: Libonik – Lozhan – Molla Grabovë (kufi Gramsh), 53.1 kilometra. Kjo rrugë lidh qytetin e Korçës me Hidrocentralin e Moglicës dhe më pas me qytetin e Gramshit dhe atë të Elbasanit.

 

Pjesë e aksit nacional qe lidh zonat e Korçës me ato te Gramshit , si aks lidhës midis qarkut Korçë dhe Qarkut Elbasan. Është rrugë me një karrexhatë me dy kahe lëvizje.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/mirembajtja-e-rrugeve-arrsh-rishpall-tre-lote-5-milione-euro-pas-rishikimit-te-dokumenteve/)


Më të lexuarat