Secondary Adv

45 per qind e kredise me kolateral mbulohet me prona, renie ne 6 mujorin e pare

Mbulimi me kolateral i kredisë pësoi rënie në gjysmën e parë të këtij viti.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 6-mujorit vlerësohet se rreth 75% e portofolit të kredisë bankare ishte i mbuluar me kolateral, në rënie nga niveli prej 80% i fundit të vitit të kaluar.

 

Kolaterali dominues për sigurimin e kredive bankare vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë 45% të tepricës së kredisë ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.

 

Megjithatë, stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zvogëluar me 4% në krahasim me një vit më parë si rezultat i tkurrjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme komerciale, ndërkohë që portofolet e kredive të kolateralizuara me kolateral tjetër kanë shënuar rritje.

 

Përveç pasurive të paluajtshme, që ngelen kolaterali kryesor për garantimin e kredive bankare, llojet e tjera të kolateralit mund të përfshijnë kryesisht kolateralin financiar (për shembull, cash, aksione të kompanive apo portofol kredie performues), apo kolateral tjetër në formën e pasurive të luajtshme.

 

Në mesin e këtij viti kredia për ekonominë raportohej nga Banka e Shqipërisë në vlerën e 796 miliardë lekëve. Bazuar në këtë shifër, mund të përllogaritet se kredia e siguruar me pasuri të paluajtshme kishte vlerën e rreth 358 miliardë lekëve.

 

Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme.

 

Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme ka arritur në afërsisht 3.7 miliardë euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme është në rritje vjetore me 33%.

 

Për 12 muajt e fundit deri në korrik 2024, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të biznesit është rritur me 60%, ndërsa në segmentin e individëve me 16%.

 

Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme e individëve dhe bizneseve përbën rreth 49% të portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.

 

Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi).

 

Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

 

Në tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rregullore formalizon, standardizon si dhe zgjeron të dhënat që mblidhen nga bankat dhe subjektet kredidhënëse lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare.

 

Gjithashtu, rregullorja ofron mundësinë që Banka e Shqipërisë të përdorë këta tregues si instrumente të politikës makroprudenciale, kur është e nevojshme për të zbutur rreziqet që shoqërojnë këto ekspozime nëse vlerësohen në nivele të larta.

 

Në muajin qershor, Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, me 0.25 pikë përqindje.

 

Shtesa kundërciklike ka si qëllim ngadalësimin e ritmeve të kreditimit nga sektori bankar, në rastet kur rregullatori gjykon se huadhënia po rritet me ritme tepër të shpejta, duke krijuar rreziqe të shtuara për stabilitetin e sektorit.

 

Në fillim të këtij muaji, Banka e Shqipërisë paralajmëroi që, nëse kreditimi do të vazhdojë të zgjerohet me ritmet e muajve të fundit, rritja e mëtejshme e kësaj norme në fund të vitit 2024 ka një probabilitet të lartë. 

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/45-e-kredise-me-kolateral-mbulohet-me-prona/)


Më të lexuarat