Secondary Adv

Bankat dhane pothuajse 70 mije kredi ne gjysmen e pare te vitit

Sektori bankar disbursoi afërsisht 70 mijë kredi në gjysmën e parë të këtij viti.

 

Mbështetur në statistikat e pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë 2024 bankat kryen në sistem gjithsej 69 551 disbursime të kredive të reja për individët dhe bizneset.

 

Numri i kredive të disbursuara është rritur me 37% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

 

Numri i kredive u dominua nga individët, me 37 121 mijë disbursime ose 53.4% e totalit të kredive të dhëna për gjysmën e parë të vitit. Numri i kredive në segmentin e individëve u rrit me 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Një tendencë rritjeje edhe më e shpejtë po regjistrohet në kreditë e dhëna për bizneset.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti u disbursuan 32 430 kredi në llogaritë e bizneseve. Numri i kredive për bizneset u rrit me 76.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kreditë e dhëna për biznesin përbënin pothuajse 47% të numrit të kredive të disbursuara, nga 36% përbënin në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

 

Rritja e numrit të kredive konfirmon ecurinë mjaft pozitive të huadhënies edhe të shprehur në vlerë. Kredia për ekonominë këtë vit po rritet me ritmet më të shpejta në 15 vitet e fundit.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 8-mujorin 2024, kredia e re e dhënë për ekonominë shqiptare ka arritur vlerën e 252.4 miliardë lekëve, në rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Këtë vit bankar po shfaqin interes të shtuar veçanërisht për kreditimin e ndërmarrjeve të mëdha, duke përfshirë dhënien e kredive koorporative në vlera mjaft të larta.

 

Momenti pozitiv i ekonomisë dhe gjendja e shëndetshme e bilanceve po sjell një rritje të oreksit për rrezik të sektorit bankar në vend. Për 8-mujorin 2024, sektori bankar dha gjithsej 183 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, me një rritje vjetore prej 47%.

 

Në rritje, por me ritme më të ngadalta, paraqitet edhe kreditimi i individëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin gusht bankat dhanë 7.9 miliardë lekë kredi për individët, me një rritje prej 4.5% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

 

Për të gjithë 8-mujorin, kredia e re për individë preku vlerën e 69.2 miliardë lekëve, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kreditimi i individëve vazhdon të shfaqë ecuri pozitive, si në financimin e blerjes së pasurive të paluajtshme, ashtu edhe të konsumit.

 

Vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 812 miliardë lekë, në rritje me 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/bankat-dhane-pothuajse-70-mije-kredi-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit/)


Më të lexuarat