Secondary Adv

Bum shitjesh, INSTAT: Ne 6 muaj u shiten prona me vlere 58 mld leke

Shitjet e apartamenteve në vend kanë arritur në shifra rekord.

 

Blerjet nga të huajt po mbajnë çmimet e pronave të larta.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, në 6 muajt e parë të këtij viti, rritje me 2.7 miliardë lekë krahasuar me vjet.

 

Po shiten më pak apartamente, por me çmim shumë më të lartë se vjet. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë dhe të dhënat e INSTAT për transaksionet tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vijon të tërheqë qytetarë, biznese e shtetas të huaj, pavarësisht çmimeve që vetëm rriten.

 

Përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, transaksionet e pasurive të paluajtshme kanë arritur në shifra rekord. Sipas INSTAT, nga janari deri në fund të muajit qershor transaksionet në këtë sektor arritën në vlerën 58.4 miliardë lekë, duke u rritur me 2.7 miliardë lekë krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit të kaluar.

 

Nga ana tjetër po për këtë periudhë Banka e Shqipërisë ka raportuar për ngadalësim të shitjeve, pasi agjentët e anketuar kishin deklaruar më pak shitje se vjet.

 

Praktikisht këto dy raporte tregojnë se po shiten më pak prona por me çmime të larta, dhe për pasojë edhe vlera e transaksioneve është në rritje të shpejtë. Vetëm gjatë kësaj periudhe të parë të vitit çmimet u rritën me 23.5%, krahasuar me vjet.

 

Një tjetër faktor që shton volumin e transaksioneve në këtë industri janë edhe shtetasit e huaj, që blejnë pa negociuar çmimin. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, afro 1/3 e pronave në 5-vjeçarin e fundit po blihet nga të huajit.

 

Interesi i të huajve për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, tregohet edhe nga shifrat e investimeve direkte, pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit një në katër investime të huaja në Shqipëri shkon në sektorin e pasurive të paluajtshme.

 

E përkthyer në vlerë janë 181 milionë euro të shpenzuara nga të huajt për të blerë prona në Shqipëri e kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat kryesore të qendrës së Tiranës, ku një metër katror ka kaluar 4000 euro.

 

Sa i takon pritshmërive për çmimet e apartamenteve në vijim, sipas Bankës së Shqipërisë 71% e agjentëve presin që çmimet të jenë në këtë nivel, dhe 26% presin rritje të fortë./Burimi: Shqiptarja.com

 

TRANSAKSIONET E PASURIVE TË PALUAJTSHME:

Janar-Qershor 2023             55,713 mln lekë

Janar- Qershor 2024            58,483 mln lekë

Diferenca                            +2,770 mln lekë

 

INVESTIMET NË PASURI TË PALUAJTSHME:

Janar-Qershor 2023         127 mln euro

Janar-Qershor 2024         181 mln euro

Rritja                               +54 mln euro


Më të lexuarat