Secondary Adv

Interesat e kredive po rriten me shpejt se te depozitave

Marzhet e ndërmjetësimit të sektorit bankar për dy monedha kryesore, euro dhe lekë, u zgjeruan në gjysmën e parë të këtij viti.

 

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, marzhi (spread-i) mes interesit mesatar të kredive dhe atij të depozitave për monedhën vendase arriti në 4.9% ose 0.9 pikë përqindje më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

 

Rritja e marzhit erdhi si rezultat i rritjes më të madhe të normës së interesit të kredive krahasuar me atë të depozitave.

 

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja arriti në 7%, 1.4 pikë përqindje më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ndërsa norma mesatare e interesit të depozitave të reja arriti në 2.2%, në rritje me 0.5 pikë përqindje që nga fillimi i vitit.

 

E njëjta tendencë u vërejt edhe në marzhet e ndërmjetësimit për euron.

 

Norma e interesit për kreditë e reja në euro u rrit në 6.3%, një pikë përqindje më shumë krahasuar me fundin e vitit 2023.

 

Ndërsa norma e interesit të depozitave në euro arriti në 1.7%, në rritje me 0.6 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Kjo solli një zgjerim të marzhit të ndërmjetësimit me 0.4 pikë përqindje, në nivelin 4.6%.

 

Megjithatë, nëse e bëjmë krahasimin me një vit më parë (mesin e 2023), spread-et e monedhave Lek dhe Euro u ngushtuan, me përkatësisht 0.7 pikë përqindje dhe 0.9 pikë përqindje, si rezultat i rritjes së normës së interesit të depozitave gjatë këtij viti.

 

Duke qenë se marzhi i interesit është burimi kryesor i të ardhurave të sektorit bankar shqiptar, një rritje e këtij marzhi ka një efekt pozitiv mbi bazën e të ardhurave të sektorit.

 

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2024 të ardhurat neto nga interesat (të ardhura bruto nga interesat minus shpenzimet për interesa) arritën vlerën e 37.4 miliardë lekëve, në rritje me 12.7% krahasuar me një vit më parë.

 

Rritja e të ardhurave nga interesat ka qenë faktor kryesor në rritjen e fitimit të sektorit bankar në vitet e fundit. Për gjysmën e parë të këtij viti, sektori bankar raportoi një fitim neto në vlerën e 18.6 miliardë lekëve, të llogaritur sipas standardeve të mbikëqyrjes të bankës së Shqipërisë.

 

Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2023, fitimi i sektorit bankar është rritur me 27%.

 

Në përgjithësi, ciklet e rritjes së normave të interesit ndikojnë pozitivisht bilancet e sektorit bankar. Rritjet e normave të interesit pasqyrohen më shpejt te aktivet e bankave, sesa te detyrimet e tyre. Kjo bën që të ardhurat dhe fitimet të rriten.

 

Ulja e normave të interesit nga bankat qendrore, që ka nisur këtë vit, ka të ngjarë të japë gradualisht një efekt të kundërt, duke frenuar rritjen e të ardhurave dhe të fitimeve të sektorit.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/interesat-e-kredive-po-rriten-me-shpejt-se-te-depozitave/)


Më të lexuarat