Secondary Adv

Hapen sot negociatat per grup-kapitullin e pare, nis takimi ne Luksemburg

Shqipëria shënon sot një tjetër moment historik në Procesin e Integrimit Europian.

 

Sot në Luksemburg, në Qendrën Europiane të Konventave mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ku vendi ynë çel negociatat me Bashkimin Europian për grupkapitullin e parë. 

 

'Do ta bëjmë gati Shqipërinë për BE-në brenda 2030' tha kryeministri Edi Rama në një prononcim ekskluziv për gazetaren tonë të Report Tv  Monada Mehmetaj që po ndjek nga afër të gjithë procesin.

 

Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së.

 

Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

 

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri - BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë;

 

drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Në këtë grup, siç quhet ndryshe edhe ‘bazat’ ose 'themeloret', përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.

 

Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

 

Delegacioni

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

 

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare.

 

Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.

 

Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij. Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë. 

 

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat