Secondary Adv

Ankorohet ne Shengjin anija Libra me emigrantet e pare, cfare do te ndodhe

Nis sot zbatimi i Marrëveshjes Shqipëri - Itali, firmosur në nëntorin të vitit të shkuar mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

 

Kontigjenti i parë i emigrantëve që Italia nisi drejt Shëngjinit janë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi.

 

Pas ankorimit në port të anijes "Libra", do vendosen në qendrën pritëse në Shëngjin ku do të kryhet verifikimi, para se të transferohen drejt Gjadrit.

 

Policia: U zbatuan procedurat e përshpejtuara kufitare. Morëm masa për sigurinë.

 

Anija ushtarake italiane me refugjatët e parë e cila u nis të hënën e 14 tetorit nga ishulli i Lampeduzës në Itali mbërriti mëngjesin e sotëm, rreth 08:00 në portin e Shëngjinit.

 

Një sërë efektivësh të policisë italiane shoqëruan gjatë gjithë kohës anijen dhe kur anija hyri në ujrat shqiptare u shoqërua nga policia kufitare' raportoi gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com Elvis Hila nga porti i Shëngjinit.

 

Pas mbërritjes, anija "Libra" u ankorua në port për të kryer procedurat.  Policia e Lezhës  duke konfirmuar ankorimin informoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe ato të zbatimit të procedurave të përshpejtuara kufitare.

 

"Në portin e Shëngjinit u ankorua anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë.  Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare" informoi sot policia. 

 

Emigrantët e parë në Lezhë

 

Kontigjenti i parë i emigrantëve që Italia nisi drejt Shëngjinit, është i përbërë nga 16 persona. Janë të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi të cilët u shpëtuan në det të dielën (13 tetor).

 

Pak metra larg kalatës ku është ankoruar anija ushtarake italiane ndodhet qendra e parë, ku emigrantët do të ndalojnë për të paktën disa orë në pritje të procedurave burokratike.

 

Aty ata fillimisht do të mund të bëjnë dush, të ndërrohen me veshjet e reja që do t’u ofrohen si dhe të ushqehen. Më pas do të kalojnë procesin e identifikimit. Më pas do të transportohen drejt Gjadrit, i cili është funksional që prej javës së shkuar.

 

Në qendrën e Gjadrit është ngritur edhe një paraburgim dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat.

 

'Libra' u nis nga Italia me 14 tetor

 

Të hënën e 14 tetorit 2024, anija ‘Libra’ e Marinës Ushtarake italiane u  nis nga Lampeduza  drejt Shqipërisë  për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në kampin e emigrantëve në Gjadër.

 

Ata u shpëtuan në det të dielën e 13 tetorit. Fillimisht në bord u krye një kontroll fillestar i emigrantëve  për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: të jenë me origjinë nga vende të sigurta dhe burra.

 

Gratë, të miturit, personat e torturuar dhe të sëmurët dërgohen në Lampeduza dhe aty presin që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale. 

 

Reagimi  i BE-se

 

Ky i sotmi ështe operacioni i parë dhe pritet të vijojë me grupet e tjera. Kapaciteti për momentin është 400 persona dhe deri tani ka përfunduar 70% e strukturave pritëse dhe akomoduese, përfshi edhe logjistikën e nevojshme.

 

Kampi është ndarë në disa seksione të veçanta, ku përfshihet edhe izolimi për personat që kryejnë krime apo seksioni i trajtimit procedurial para se të jepet apo refuzohet azili. Nëse refuzohet, emigrantët riatdhesohen në vendet e tyre.

 

"Reuters" e cilëson marrëveshjen për emigrantët si kontroverse, por thekson se është e parë dhe e vetmja midis një vendi anëtar të BE dhe një vendi të paanëtarësuar në union.

 

Kjo marrëveshje është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët, si kryekomisionerja e KE, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët Itali-Shqipëri, mund të merret shembull edhe nga BE-ja./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat