Secondary Adv

Ndryshon struktura e eksportit, rriten sherbimet, bien mallrat

Në vitin 2023 eksportet e mallrave në Shqipëri ishin sa 8.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) duke shënuar ulje nga niveli 10.8% i PBB-së në vitin 2022.

 

Në anën tjetër eksportet e shërbimeve  arritën në 31 % të PBB-së në vitin 2023 nga 26.6 për qind që ishin në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostat.

 

Nga viti 2020 eksportet e shërbimeve kanë pësuar një rritje të shpejtë me 15 pikë % të PBB-së, ndërsa eksportet e mallrave me u rriten me vetëm 2.6% të PBB-së, teksa janë në trend renës.

 

Eksportet e shërbimeve po nxiten nga zhvillimet në sektorin e turizmit.

 

Pas pandemisë Shqipëria u shndërrua në një destinacion të preferuar nga të huajt, duke bërë që gjithnjë e më shumë valutë e huaj të hyjë nga ofrimi i shërbimeve turistike se sa nga shitja e mallrave jashtë vendit.

 

Sipas Eurostat Shqipëria renditet në pesë vendet e Europës me kontributin më të ulët të eksportit të mallrave në Raport me PBB, ndërsa renditët në grupin e 6 vendeve ku eksporti i shërbimeve ka një kontribut të lartë në % të PBB-së.

 

Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2023, rezulton se të ardhurat nga turizmi arritën vlerën e 4,2 miliardë lekëve, me rritje 48 %, krahasuar me vitin 2022.

 

Nga ana tjetër në vitin 2023 eksportet e mallrave janë 440 miliard lekë, duke u ulur 9,5 % krahasuar me vitin 2022.

 

Kjo tendencë ka vijuar edhe në vitin 2024, ku numri i vizitoreve të huaj ka qenë mesatarisht 30% më i lartë dhe nga ana tjetër eksportet e mallrave ka  shënuar rënie më tej.

 

Në tetë-mujorin 2024  eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me -14,9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 sipas të dhënave zyrtare.

 

Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e Euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.

 

Në vitin 2023 por edhe këtë vit sektori i industrisë është më rënie, nga ana tjetër, u vu re një rritje e sektorit të shërbimeve për shkak të fluksit të lartë të turistëve.

 

Vitin e kaluar ekonomia e vendit u rrit me 3.5% ku sektori i shërbimeve kontribuoi me 2.6 pikë % për shkak të zhvillimeve pozitive në turizëm.

 

Por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.

 

Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/ndryshon-struktura-e-eksportit-rriten-sherbimet-bien-mallrat/)


Më të lexuarat