Secondary Adv

Rreth 1.7 mln nete qendrime ne gusht, gati 92 per qind e turisteve ne hotele

Të dhënat më të fundit mbi strukturat akomoduese që përkojnë me periudhën Gusht të 2024, tregojnë se Shqipëria u vizitua nga rreth 650,600 turistë gjatë këtij muaji.

 

Nga këto, rreth 71% e tyre ishin të huaj dhe pjesa tjetër vendas. Në fakt, shifrat tregojnë një rritje të dukshme në treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese. Konkretisht, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 32%, në krahasim me Gusht 2023.

 

Nëse i kategorizojmë vizitorët sipas tipologjisë vëmë re se numri i vizitorëve vendas është rritur me 1.2%, ndërsa numri i vizitorëve të huaj është rritur me 50.6%.

 

Të njëjtën ecuri ka ndjekur edhe treguesi i netë qëndrimeve ku numri i tyre gjithsej është rritur me 11.3%, në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Rritja e netë qëndrimeve nga të huajt ishte dukshëm më e lartë se ajo e vendasve.

 

Sipas shifrave, në terma vjetorë numri i netë qëndrimeve nga të huajt është rritur me 16.9%, ndërsa numri i netë qëndrimeve nga vendasit është rritur me vetëm 0.2%.

 

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 59.6%, kundrejt 55.3% që ishte në muajin Gusht të vitit të kaluar. Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 67.66%.

 

Theksojmë se normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues që masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorët.

 

Por ku u vendosën vizitorët? Rajoni i jugut ka tërhequr 38.2% të totalit tëvizitorëve, duke theksuar popullaritetin e tij për vizitorët. Po ashtu, zonat bregdetare ishin zgedhja e 75.6% të vizitorëve duke treguar preferencën e turistëve për destinacione pranë plazheve.

 

Ndërkohë, strukturat akomoduese si hotelet dhe akomodimet e ngjashme kanë arritur një nivel rekord me 92.7% të vizitorëvë që përdorën këtë lloj të strukturave akomoduese duke reflektuar cilësinë dhe shërbimin e ofruar në këtë sektor.

 

Sipas analizës së kryer nga “Scan Intel,” të dhënat për origjinën e vizitorëve në Shqipëri gjatë muajit gusht 2024 tregojnë një diversitet interesant të turistëve.

 

Kosovarët përbëjnë 14.6% dhe Polakët, me 7.9%, kontribuojnë ndjeshëm në fluksin turistik. Ndërsa, turistët nga Italia, Maqedonia e Veriut dhe Gjermania përbëjnë 6.8%, 4.1% dhe 4.1% respektivisht./Burimi: Scan


Më të lexuarat