
NAREA: Bllokimi i rivleresimit ka futur ne kolaps tregun e rishitjes se pronave
Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) shprehu sot në një deklaratë zyrtare shqetësimin për vonesat në miratimin e nismës ligjore për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Mbështetur mbi raportimet e anëtarësisë, NAREA shprehet se nga sinjalet e gjithë tregut si dhe nga të dhënat statistikore, sot i gjithë tregu i rishitjes së pasurive të paluajtshme është pranë një kolapsi.
“Një ngërç i tillë, pasojë e funksionimit të një tregu nën paqartësinë dhe mungesën e vendimmarrjes për fillimin e procesit të rivlerësimit brenda muajit shtator 2024, ka dhënë efektet e tij duke filluar me mungesën e transaksioneve, në procedurat pezull pranë zyrave noteriale, në mungesën e performancës së sektorit financiar si dhe në mungesën e arkëtimit të ardhurave në arkën e shtetit.
Sot që flasim, i gjithë zinxhiri i transaksioneve me pasuritë e paluajtshme po humbet, këtu përfshirë dhe shtetin. Për nëntë muajt e parë të 2024, janë arkëtuar më pak se 2% e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin kapital, duke sjellë një gropë prej 56 milionë euro.
Rënia e besimit të konsumatorit, kolapsimi i tregut të rishitjes ka efekte të sigurta domino mbi sektorin financiar, mbi sektorin e ndërtimin, atë të turizmit dhe mbi gjithë ekonominë,” thuhet në deklaratën e NAREA.
Sipas NAREA-s, mungesa e një angazhimi me afate transparente nga ana e Ministrisë së Financave dhe përqasja kaotike, jo e drejtë në kohë dhe metodologjitë e ndjekura në elementet e lidhura me rivlerësimin, siç janë çmimet e referencës, vetëm sa shtojnë agoninë e strehimit të familjeve të mesme në Shqipëri.
“Themi këtë, sepse historikisht kjo shtresë e shoqërisë shqiptare është shërbyer nga tregu i rishitjes, me alternativa shumë me tepër ekonomike se një ndërtimi i ri, një treg i fuqizuar nga profesionistët e Real Estate, një treg i cili sot është i paralizuar 100%.
Vendosja në vështirësi të tejskajshme i këtij sektori, ka jo vetëm efekte ekonomike, jo vetëm efekte të një strehimi të papërballueshëm, por vendos në kushte të pamundësisë së operimit të gardianëve të parë në pacenueshmërinë e sistemit financiar, për gjithë zinxhirin e transaksioneve me pasuritë e paluajtshme.
Në këtë kontekst, shprehim jo vetëm shqetësimin serioz për atë se çfarë mund të rezervojë e ardhmja në mungesën e një fushate rivlerësimi, por më tepër, shprehim gatishmërinë tonë si NAREA për zhbllokimin e kësaj situate,
i bëjmë thirrje Ministrisë së Financave si dhe më gjerë Këshillit të Ministrave, për një vëmendje të zgjeruar ndaj këtyre rreziqeve që po i kanosen kësaj industrie,” thuhet në deklaratën e NAREA-s.
Në muajin maj, në Kuvendin e Shqipërisë u depozitua një projektligj i ri “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, me propozuese deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.
Projektligji propozonte që individët dhe subjektet do të kenë të drejtë të rivlerësojnë pronat e tyre me çmimin e tregut, duke paguar një tarifë rivlerësimi në masën 3% të diferencës mes çmimit të rivlerësuar dhe çmimit të fundit të regjistruar në kartelën e pasurisë.
Fillimisht, palët e interesit u informuan se projektligji do të miratohej brenda muajit qershor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe procesi i shqyrtimit të tij duket se ka ngecur.
Në muajin korrik, në një deklaratë publike, Kryeministri, Edi Rama, konfirmoi se rivlerësimi do të bëhet, por jo me një tarifë prej 3%, aq sa është propozuar në projektligjin e depozituar në Kuvend, por me një tarifë 5%.
Sipas kryeministrit, rivlerësimi do të miratohej brenda muajit shtator. Megjithatë, deri tani një nismë e tillë ligjore nuk është miratuar dhe gjasat janë që të shtyhet për vitin e ardhshëm.
/Burimi: Monitor (https://monitor.al/narea-bllokimi-i-rivleresimit-ka-futur-ne-kolaps-tregun-e-rishitjes-se-pronave/)
Më të lexuarat









