Secondary Adv

Udhezimi, hyjne ne fuqi procedurat per rinovimet e lejeve te punes per te huajt

Shtetasit e huaj që kërkojnë të rinovojnë lejet unike (qëndrim me motiv punësimi) do të ndjekin të njëjtat procedura, si në rastin e aplikimit të tyre për herë të parë.

 

Po ashtu të huajt që kërkojnë të pajisen për herë të parë me leje unike, nuk përjashtohen nga aplikimi i vizës. Nga shkurti i vitit 2023 me ndryshimin e Ligjit 79/2021 “Për të huajt”, filloi implementimi i lejes së integruar, Leje Unike ( qëndrimi me motiv Punësimi).

 

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive shqyrton dhe aprovon on-line punësimin e shtetasve të huaj. Pas miratimit të bërë nga AKPA, autoriteti përgjegjës për lëshimin e Lejes Unike është struktura rajonale që mbulon çështjet e Kufirit dhe Migracionit.

 

Në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Brendshme, të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se aplikimi për Leje Unike, apo ripërtëritje të këtij dokumenti, bëhet nga vetë i huaji, punëdhënësi ose personi i autorizuar.

 

Kërkesa për aplikim i drejtohet autoritetit përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin që mbulon territorin, ku i huaji ka ose do të ketë vendqëndrimin/vendin e punësimit/vendin e studimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

 

Për shtetasit e huaj që aplikojnë për herë të parë për Leje Unike dhe që kanë nevojë për vizë tipi D, aplikimi depozitohet në portalin e Albania.

 

“Për ripërtëritjen e Lejes së Qëndrimit, ose të Lejes Unike, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për pajisje për herë të parë, përjashtuar aplikimin për vizë për kategorinë e shtetasve të huaj që kërkojnë pajisjen me vizë të tipit D, kur aplikojnë për herë të parë”, thuhet në udhëzimi.

 

Afati i shqyrtimit të kërkesës do të jetë brenda 30 ditëve nga struktura e emigracionit. Nëse konstatohet se dokumentacioni i ngarkuar nga aplikanti është i paplotë ai do të njoftohet, për plotësimin e tyre brenda një afati 10 ditor.

 

Për rastet kur konstatohet se nuk janë përmbushur kriteret ligjore, kërkesa për aplikim do të refuzohet. Aplikanti do të njoftohet për refuzimin, duke i përcjellë edhe argumentet ligjore.

 

Në vlerësimin e aplikimit për Leje Qëndrimi ose Leje Unike sipas udhëzimit do të marrin pjesë strukturat përgjegjëse të autoritetit vendor dhe qendror të kufirit dhe migracionit, strukturat përgjegjëse të informacionit kriminal në Policinë e Shtetit, si dhe strukturat përgjegjëse të Shërbimit Informativ të Shtetit.

 

Struktura e migracionit do të kryejnë verifikimet nga sistemi, dhe për raste të veçanta do të kërkohet verifikimi nga SHISH.

 

Udhëzimi

APLIKIMI PËR LEJE UNIKE

Për kategoritë e shtetasve të huaj që aplikojnë për herë të parë për Leje Unike dhe që kanë nevojë për vizë tipi D, aplikimi i depozituar në portalin e Albania aksesohet njëherësh nga sistemet SSHP, VISA dhe FER.

 

Aplikimi për Leje Unike shqyrtohet nga autoriteti vendor i kufirit dhe migracionit, ku i huaji ushtron aktivitetin, me përjashtim të punonjësve lëvizës digjitalë, të cilët aplikojnë aty ku kanë vendqëndrimin.

 

Të gjitha aplikimet për Leje Unike të të huajve, për të cilat sipas legjislacionit në fuqi kërkohet miratim për punësim nga AKPA, aksesohen nga sistemi SSHP.

 

Në sistemin SSHP, aplikimi i të huajit që kërkon të punësohet/vetëpunësohet në Republikën e Shqipërisë, shqyrtohet në zbatim të legjislacionit në fuqi për të huajt dhe, nëse konstatohet se:

 

a) informacioni apo dokumentacioni i ngarkuar është i paplotë: i huaji njoftohet për mangësitë e konstatuara dhe i kërkohet plotësimi i tyre brenda 10 (dhjetë) ditëve pune;

 

b) nuk janë përmbushur kriteret ligjore: aplikanti njoftohet mbi refuzimin e aplikimit për mospërmbushje të kritereve ligjore, duke cituar nenin përkatës të ligjit.

 

Në përfundim të vlerësimit, krahas njoftimit online të të huajit, njoftohen edhe strukturat përkatëse në sistemet VISA dhe FER online, mbi miratimin apo refuzimin e kërkesës së punësimit/vetëpunësimit për aplikantin e huaj.

 

Në sistemin VISA aplikimi mbetet në statusin “në pritje” deri në momentin e miratimit të punësimit, ndërsa në sistemin FER aplikimi mbetet në statusin “në pritje”, deri në momentin që i huaji hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë me vizë tipi D. V.

 

PRANIMI I APLIKIMIT PËR LEJE QËNDRIMI OSE LEJE UNIKE

Pranimi i dokumentacionit të saktë për Leje Qëndrimi ose Leje Unike është përgjegjësi e strukturës së migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin, referuar përcaktimeve në ligjin nr. 79/2021, “Për të huajt”.

 

2. Pranimi i dokumentacionit përfshin: a) përputhshmërinë me dokumentacionin dhe përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

 

b) përmbushjen e kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 79/2021, “Për të huajt”; c) konsultimet me baza të tjera të dhënash; ç) trajtimin e kërkesave specifike rast pas rasti.

 

Në rast se aplikimi është bërë jashtë afateve të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, por në momentin e aplikimit qëndrimi i të huajit nuk është bërë i parregullt,

 

struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin gjykon mbi arsyet e tejkalimit të afateve për aplikim, pranon ose jo aplikimin, si dhe vlerëson rast pas rasti aplikimin e gjobës ndaj të huajit, sipas përcaktimeve në shkronjën “a/i”, pika 1 e nenit 141, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”.

 

Arsyeja e tejkalimit të afateve për aplikim, si dhe masa administrative e marrë, shënohen si “koment” në modulin e-Leje Qëndrimi. 

 

Struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin pranon aplikimin në rast se i huaji, aplikon jashtë afateve të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 79/2021,

 

“Për të huajt”, dhe në momentin e aplikimit qëndrimi i tij është bërë i parregullt, vetëm për arsye të një force madhore apo humanitare. Arsyeja e tejkalimit të afateve për aplikim shënohet si “koment” në modulin e-Leje Qëndrimi.

 

Në rast se aplikimi për Leje Qëndrimi ose Leje Unike është bërë jashtë afateve të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, pa ndonjë arsye objektive të provuar,

 

dhe në momentin e aplikimit qëndrimi i të huajit është bërë i parregullt, struktura e migracionit pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin refuzon aplikimin, dhe vazhdon me procedurën sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 89 dhe nenit 99 të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”.

 

Personat, sipas parashikimeve të nenit 52, nenit 53 dhe shkronjës “dh”, të pikës 1, të nenit 87, të ligjit nr. 79/2021, “Për të huajt”, përjashtohen nga aplikimi i gjobës, në zbatim të procedurave të pranimit të aplikimit për Leje Qëndrimi dhe rinovimin e saj.

 

VLERËSIMI I APLIKIMIT PËR LEJE QËNDRIMI OSE LEJE UNIKE

Në vlerësimin e aplikimit për Leje Qëndrimi ose Leje Unike marrin pjesë strukturat përgjegjëse të autoritetit vendor dhe qendror të kufirit dhe migracionit, strukturat përgjegjëse të informacionit kriminal në Policinë e Shtetit, si dhe strukturat përgjegjëse të Shërbimit Informativ të Shtetit.

 

Strukturat përgjegjëse pranë autoritetit vendor për kufirin dhe migracionin, sipas fushës së përgjegjësisë, aprovojnë dhe dërgojnë për vlerësim në formë elektronike pranë autoritetit qendror për kufirin dhe për migracionin, çdo aplikim të miratuar nga autoritet vendore për kufirin dhe migracionin, duke bërë komentet përkatëse në modulin e-Leje Qëndrimi të sistemit FER.

 

Struktura e migracionit në autoritetin qendror për kufirin dhe migracionin, sipas fushës së përgjegjësisë, trajton aplikimet në sistem, kryen verifikime të dokumenteve për raste ku kërkohet vlerësim i veçantë,

 

duke proceduar rast pas rasti, si dhe dërgon elektronikisht për vlerësim tek strukturat përgjegjëse të SHISH-it dhe ato të informacionit kriminal pranë autoritetit qendror të Policisë së Shtetit të gjitha aplikimet e rregullta.

 

Strukturat përgjegjëse pranë Shërbimit Informativ të Shtetit në nivel qendror dhe ato të informacionit kriminal pranë autoritetit qendror të Policisë së Shtetit, të ngarkuara për këtë qëllim, kryejnë verifikimet e nevojshme në bazat e tyre të të dhënave ndaj të huajve, të cilët kanë aplikuar për Leje Qëndrimi ose Leje Unike dhe bëjnë vlerësimin e tyre nëse janë dakord apo jo për lëshimin e lejes.

 

Në rastet e vlerësimit negativ për lëshimin e saj, autoritetet e sipërcituara ia komunikojnë me shkresë zyrtare autoritetit qendror për kufirin dhe migracionin referencën ligjore mbi të cilën bazojnë vendimin për refuzimin e aplikimit, si dhe afatin e refuzimit të hyrjes për shtetasin e huaj, nëse kjo është e nevojshme.

 

5. Autoriteti qendror për kufirin dhe migracionin, referuar vlerësimeve sipas pikës 4, vendos për miratimin ose refuzimin e aplikimit për Leje Qëndrimi ose Leje Unike./Burimi: Monitor https://monitor.al/udhezimi-hyjne-ne-fuqi-procedurat-per-rinovimet-e-lejeve-te-punes-per-te-huajt/


Më të lexuarat