
Yield-i i obligacioneve 10-vjecare zbret ne nivelin me te ulet prej janarit 2022
Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare pësoi përsëri rënie në ankandin e muajit tetor.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar zbriti në 5.93%, nga 6.13% që kishte qenë në ankandin e fundit, të zhvilluar në muajin korrik. Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare ka prekur nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2022, para nisjes së ciklit të rritjes së normave të interesit.
Kërkesa e investitorëve u shfaq e lartë edhe në ankandin e radhës. Nga tre miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave të paraqitur në ankand arriti në 5.5 miliardë lekë.
Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e huamarrjes në 3.45 miliardë lekë, duke i vlerësuar, me sa duket, të kënaqshme, yield-et e kërkuara nga investitorët. Nëse shuma e pranuar nuk do të ishte rritur, me shumë të ngjarë yield-i do të rezultonte edhe më i ulët.
Yield-et duken tashmë në një tendencë të qartë rënëse në të gjitha instrumentet e borxhit të qeverisë. Në fillim të muajit korrik, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%.
Kjo ishte ulja e parë e normës bazë prej më shumë se katër vitesh dhe i dha fund një cikli dyvjeçar gjatë të cilit politika monetare kishte lëvizur në kahun shtrëngues.
Ndërkohë, inflacioni ka vazhduar rënien edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin shtator zbriti në 1.9%, në nivel më të ulër të tre viteve të fundit.
Këto sinjale janë përcjellë shpejt në tregun primar të titujve të borxhit të qeverisë dhe tashmë yield-et duken në një fazë të rënies së mëtejshme.
Rënia e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë tregon një gjendje likuide të tregut të brendshëm financiar, kërkesë të lartë të investitorëve për këto tituj dhe një perceptim të ulët rreziku prej tyre.
Përveç kërkesës nga investitorët e brendshëm, gjatë këtij viti është vërejtur për herë të parë kërkesë për titujt e qeverisë në lekë edhe nga investitorë institucionalë jorezidentë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shtator, rritja vjetore e agregatit monetar M2 arriti në 6.7%, niveli më i lartë që prej tetorit 2021.
Rënia e yield-eve të titujve të borxhit të qeverisë pasqyrohet edhe në normat e interesit të kredive në lekë, duke rezultuar në kosto më të ulët për huamarrësit privatë.
Normat e ulëta të interesit kanë favorizuar një rritje të shpejtë të kreditimit në lekë në dy vitet e fundit. Në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 812 miliardë lekëve, me një rritje prej 12% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja po udhëhiqet kryesish nga kreditimi në monedhën vendase, që është zgjeruar me 18% krahasuar me një vit më parë./Burimi: Monitor https://monitor.al/yield-i-i-obligacioneve-10-vjecare-zbret-ne-nivelin-me-te-ulet-prej-janarit-2022/
Më të lexuarat








