Secondary Adv

Sigurimi i udhetimeve jashte vendit, shqiptaret shpenzuan rreth 19 mln euro per 9 muaj

Shqiptarët shpenzuan rreth 1.86 miliardë lekë për sigurimin e udhëtimeve jashtë vendit për nëntë muajt e parë të këtij viti.

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vlera e shpenzuar për sigurimin e përgjegjësive motorike dhe për sigurimin e shëndetit në udhëtimet jashtë ishte në vlerë të përafërt me 9-mujorin e parë të vitit të kaluar.

 

Megjithëse numri i udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit edhe këtë vit është raportuar në rritje, kjo nuk është reflektuar në rritjen e primeve të sigurimit, edhe për shkak të vazhdimit të rënies së kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

 

Të dhënat e INSAT treguan se për 9-mujorin 2024 u regjistruan gjithsej 5.98 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të vendit. Numri i daljeve u rrit me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Ndërkohë, për nëntë muajt e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimit raportuan 1.42 miliardë lekë ose rreth 14.3 milionë euro prime të shkruara bruto nga produkti i detyrueshëm i Kartonit Jeshil. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me vetëm 2%.

 

Kartoni Jeshil apo Çertifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorrik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit.

 

Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, në rënie është produkti tjetër i lidhur pothuajse ekskluzivisht me udhëtimet jashtë vendit, sigurimi i aksidenteve.

 

Sipas statistikave të AMF-së, primet e shkruara bruto në këtë produkt arritën në 437 milionë lekë ose rreth 4.4 milionë euro, në rënie me 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja e turizmit hyrës dhe dalës në vitet e fundit ka dhënë një efekt pozitiv në tregun e sigurimeve. Megjithatë, ky efekt është gërryer pjesërisht nga efekti negativ i kursit të këmbimit, duke qenë se primet për këto produkte llogariten në monedhën Euro.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kursi mesatar i këmbimit për 9-mujorin 2024 ishtë në rënie me pothuajse 7% krahasuar me kursin mesatar të vitit të kaluar.

 

Sipas të dhënave të AMF-së, për 9-mujorin 2024 primet e shkruara bruto në sigurime u rritën me 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Turizmi hyrës (hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me pothuajse 17% për 9-mujorin) ka dhënë efekte pozitive në produkte të veçanta, si sigurimi KASKO i mjeteve tokësore, që u u rritën me pothuajse 22%.

 

Në sigurimin KASKO, një rol të rëndësishëm luan biznesi i makinave me qira, aktivitet i lidhur ngushtë me turizmin./Burimi: Monitor https://monitor.al/sigurimi-i-udhetimeve-jashte-vendit-shqiptaret-shpenzuan-afersisht-19-milione-euro-per-nente-muaj/


Më të lexuarat