Secondary Adv

Buxheti i Kosoves 3.6 miliarde euro per vitin 2025

Për vitin 2025 buxheti i projektuar i Kosovës shënon nivelin e 3 miliardë e 608 milionë eurove që është përreth 300 milionë euro, 8.87 për qind më i lartë se ai në 2024.

 

3 miliardë e 600 milionë euro është buxheti për vitin 2025, i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

 

Gjatë prezantimit të këtij buxheti ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se i njëjti është 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit paraprak dhe është “buxhet më gjithëpërfshirës”.

 

“Mund të them se në shumicën e ekonomive në botë njëra prej shqetësimeve është rritja e çmimeve, ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin.

 

Tani që kemi uljen e normës së inflacionit mund të them që ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të rritjes ekonomike, e që për vitin e ardhshëm pritet që të jetë 5.6 në terma real.

 

Sektorët kryesorë që kanë pasur prioritete në buxhetim kanë qenë sektori i mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera. Është një buxhet gjithëpërfshirës”.

 

Duke folur gjatë një mbledhjes së Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale,

 

ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.

 

Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.

 

“87 milionë euro i kemi planifikuar për siguri dhe mbrojtje. Bujku ynë do të vazhdojë që të jetë më i mbështetur në rajon me subvencione dhe grante.

 

Për investime infrastrukturore janë ndarë 930 milion euro për ndërtimin e hekurudhave, rrugëve e autostradave. Investimet do t’i vazhdojmë edhe në pjesë veriore të vendit. Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komunat”.

 

Sipas ligjeve, Qeveria kishte afat deri në fund të tetorit që të votojë buxhetin për vitin e ardhshëm. Tani, buxheti duhet të shkojë në Kuvend dhe të shqyrtohet e miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë afat për miratimin e buxhetit deri në fund të vitit./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat