Secondary Adv

Firmoset kontrata, impiant lundrues fotovoltaik ne Vaun e Dejes, nder me te medhenjte ne Europe

Shqipëria po bëhet gati që të nisë zbatimin projektit të një impianti lundrues fotovoltaik që do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në Europë.

 

Administratori i KESH Erald Elezi tha se tashmë kontrata është firmosur dhe projekti do të zbatohet në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

 

“Është firmosur kontrata javën e kaluar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës, që renditet si një ndër më të mëdhenjtë në Europë.

 

Më saktësisht, do të jetë i treti për nga madhësia në Europë.

 

Është duke u hartuar projekti i zbatimit, me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë të BERZH. Ky impiant lundrues, përveç gjenerimit të energjisë, paraqet dhe një sfidë teknologjike për të gjithë rajonin.

 

Ne kemi besimin e plotë se do të jetë i suksesshëm dhe do të na hapë rrugën për shumë invetsime të tjera”, tha kreu I KESH.

 

Një nga sfidat që paraqitet për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, është edhe ruajtja e energjisë.

 

Shumë vende në botë po investojnë në bateritë e litiumit, por Shqipëria, po ndjek një rrugë tjetër. Kreu I KESH bëri me dije se po kryhet një studim fizibiliteti për teknologjinë që mundëson transferimin e ujit  nga liqeni i hidrocentralit të Komanit, te ai I Fierzës.

 

“Po kryejmë një studim fizibiliteti për një teknologji PAM Storage, pra konservim nëpërmjet pompimit.

 

Presim që ky studim fizibiliteti të nxjerrë në dritë nëse mund të ndërtohet një sistem pompimi mes liqenit të Komanit dhe atij të Fierzës i cili jo vetëm do të rriste prodhimin e energjisë në terësi por do të ndihmonte edhe me situate të tjera që gjendemi shpesh me liqenin e Komanit nga prurjet e Alpeve të Shqipërisë.

 

Dhe ky sistem pompimi në kohë reale do të mund të  ngjiste sasi të konsiderueshme në liqenin e Fierzës që ka kapacitet goxha më të madh. Sistemet PAM storage në Europë janë teknologji e avancuar që të japin mundësinë që t’i përshtatesh dhe tregut.

 

Pra të thithësh energji nëpërmjet pompimit kur çmimet e tregut janë më të ulëta dhe të prodhosh të njëjtën sasi energjie kur çmimet janë më të larta në treg”, tha kreu i KESH.

 

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u miratua dhe vendimi për ndërtimin e një impianti fotovoltaik në Digën e Zadejës, ku KESH është investitor.

 

Shqipëria ka rritur ndjeshëm vitin e fundit kapacitetet e instaluara për prodhimin e energjisë.

 

Viti 2023 konsiderohet si një nga vitet me rritjen më të madhe të kapaciteteve, si rrjedhojë e projekteve për energjinë diellore. Objektivi është që brenda 5 vitesh ,Shqipëria të kthehet në vend eksportues I energjisë së pastër. /Burimi: Scan


Më të lexuarat