Treguesi i besimit rritet ne sektoret e sherbimeve, bie ne industri dhe ne ndertim
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit për të katërtin muaj radhazi në tetor.
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i këtij treguesi qëndron rreth 13 pikë mbi mesataren historike.
Përmirësimi i TNE-së në tetor u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve, ndërsa në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë.
Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më parë.
Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënie me 2.5 pikë përqindje në muajin tetor, por duke qëndruar rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u ndikua kryesisht nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial aktual dhe në veçanti, për nivelin e porosive të reja.
Gjithashtu, bizneset nuk janë optimiste për nivelin e prodhimit industrial në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen ranë lehtësisht në krahasim me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim u tkurr me 3.3 pikë përqindje në tetor. Megjithatë, niveli i tij aktualisht qëndron 23 pikë mbi mesataren historike dhe afër vlerave maksimale.
Rënia e besimit u përcaktua nga vlerësimet për aktivitetin aktual ndërtues, si dhe niveli i porosive të reja. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar gjithashtu rënie.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje me 4 pikë përqindje në muajin tetor, duke përcaktuar rritjen e treguesit të përgjithshëm. Niveli i tij aktualisht qëndron 19 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rritja u përcaktua kryesisht nga balancat më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe nivelit aktual të kërkesës. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.
Treguesi i besimit në tregti regjistroi rritje të lehtë me 0.1 pikë përqindje në muajin tetor, i ndikuar kryesisht nga vlerësime më të mira për ecurinë e biznesit aktual. Niveli i besimit aktualisht qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Treguesi u ndikua në kahun rënës nga pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e këtij sektori.
Treguesi i besimit konsumator regjistroi rritje me 0.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke vijuar prirjen e lehtë rritëse të muajve të fundit. Ky nivel është 1.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Megjithëse komponentët përbërës të treguesit dhanë kontribute me kahe të kundërta, agregimi i tyre peshoi nga kahu pozitiv. Ndërsa pritjet për situatën ekonomike dhe ato për
blerjet në shuma të mëdha u zgjeruan në tetor, pritjet e konsumatorëve për papunësinë në të ardhmen regjistruan rënie./Burimi: Monitor https://monitor.al/treguesi-i-besimit-rritet-ne-sektoret-e-sherbimeve-bie-ne-industri-dhe-ne-ndertim/