Lehtesohet barra e borxhit ne 2024, niveli me i ulet ne 16 vite
Financat publike po lehtësohen nga barra e borxhit si në % të PBB së, po ashtu edhe në vlerë.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në 56.3% të PBB-së niveli më i ulët së paku në 16 vitet e fundit (2008).
Përveçse në përqindje të PBB, stoku i borxhit në 9-mujorin e vitit 2024 ka shënuar rënie edhe në vlerë për të tretin vit radhazi. Në fund të shtatorit 2024, stoku arriti në 1,34 trilionë lekë ose 13 miliardë lekë (130 mln euro) më pak se në fund të vitit 2023.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia e borxhit është ndihmuar nga rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve buxhetore.
Kjo situatë ka ndihmuar në uljen e huamarrjes së re dhe nga ana tjetër, interesat e ulëta para luftës në Ukrainë dhe stabilizimi i tyre tani, ka ndihmuar në lehtësimin e kostos së shlyerjes së principalit dhe interesave.
Lehtësimi i pagesave të borxhit çliron më shumë fonde për shërbime të tjera ndaj popullatës, të tilla si infrastrukturë, shërbime më të mira arsimore dhe shëndetësore dhe shumë mbrojtje sociale.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3% të PBB-së dhe të vijojë më tej në rreth 55.8% në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031.
Treguesi i borxhit kishte një ecuri të ngjashme edhe në vendet e tjera të Rajonit. Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe bilanci fiskal u përmirësua pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në pjesën e parë të vitit, sipas Bankës Botërore.
Për tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me fundin e vitit 2023, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë nominale të PBB-së.
Ulja e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Serbi ku treguesi arriti në 51.4% të PBB-së, ndërsa Shqipëria me gjithë uljen vijon të jetë e dyta në Rajon pas Malit të Zi me nivelin më të lartë të borxhit në 56.7% të PBB-së.
Nga vendet e rajonit, Mali i Zi, arriti të ulë më shumë borxhin publik në 43 pikë për qind të PBB-së, nga niveli 105% e PBB-së në vitin 2020 në 61.7% të PBB në tremujorin e parë 2024./Burimi: Monitor https://monitor.al/2024-lehtesohet-barra-e-borxhit-niveli-me-i-ulet-ne-16-vite/