Secondary Adv

Prodhuesit e energjise, ERE unifikon licencen per operimin deri ne 10 per qind mbi kapacitetin

ERE ka vendosur që licencat e prodhuesve të energjisë të kenë një shtesë që u lejon atyre të operojnë deri në 10% më shumë mbi kapacitetin fillestar të instaluar.

 

Në argumentimin e dhënë nga Enti, kjo procedurë është standarde për subjektet prodhuese të energjisë dhe në rastet kur ata duan të shtojnë kapacitet njoftojnë Entin duke mos pasur nevojë për të modifikuar licencën ekzistuese.

 

Pra nëse një investitor ka ndërtuar një HEC dhe ka një fuqi të instaluar 10 MW, ky i fundit mund të shtojë kapacitet me vetëm 1 MW pa modifikuar licencën por duke vënë në dijeni Entin.

 

“Me qëllim unifikimin e rasteve dhe evidentimin e subjekteve që njoftojnë ERE-n dhe ushtrojnë të drejtën e dhënë nga licenca për të operuar deri në 10% mbi kapacitetin e identifikuar në aneksin A, pa bërë një modifikim të elementeve të tjera të licencës së tyre, vlerësohet që në këtë aneks të shtohet shënimi përkatës.

 

Ky ndryshim do të reflektohet dhe në regjistrin e të licencuarve. -Të licencuarit do të depozitojnë në ERE kërkesën, informacionin dhe/ose dokumentacionin e nevojshëm, sipas modelit bashkëlidhur, me qëllimin vijimin e reflektimit të ndryshimit përkatës në aneksin A të licencës” thuhet në parashtrimin e ERE.

 

Sipas vendimit të miratuar nga Bordi tashmë të licencuarit në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike, që duan të ushtrojnë të drejtën e dhënë nga kjo licencë për të operuar deri në 10% mbi kapacitetin e identifikuar ne aneksin A të licencës, do të njoftojnë menjëherë ERE-n sipas një formati të përcaktuar.

 

Në aneksin A të licencës së dhënë këtyre të licencuarve do të bëhet shënimi si vijon: * Në zbatim të kushteve të kësaj licence, subjekti ka informuar ERE-n për rritjen deri në 10% të kapacitetit të instaluar të identifikuar në këtë aneks dhe ka të drejtë të operojë deri në _______ (duke përcaktuar kapacitetin e shtuar të përllogaritur të secilit subjekt).

 

“Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga depozitimi i kërkesës dhe/ose dokumentacionit në ERE, të licencuarit do t’i lëshohet një licencë me shënimin përkatës në aneks, ose do t’i njoftohet informacioni/dokumentacioni që nevojitet të plotësohet.

 

Drejtoria e Licencimit, Autorizimeve dhe Mbikëqyrjes të njoftojë palët e interesuara për këtë vendim” thuhet në vendimin e ERE./Burimi: Monitor https://monitor.al/prodhuesit-e-energjise-ere-unifikon-licencen-per-operimin-deri-ne-10-mbi-kapacitetin/


Më të lexuarat