Secondary Adv

Parashikimet ekonomike te Eurozones u ulen pas fitores se Trump

Eurozona mund të presë një goditje prej 0.5% ndaj PBB-së reale për shkak të fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, parashikuan ekonomistët në Goldman Sachs.

 

Në një raport të publikuar pas rezultateve, ekspertët e GS thanë se rezultati do të dëmtojë disa vende më tepër.

 

Gjermania mund të presë një goditje prej 0.6% ndaj PBB-së reale, ndërsa Italia dhe Britania e Madhe mund të shohin efekte negative prej 0.3% dhe 0.4% respektivisht.

 

Ekonomistët parashikojnë se goditja do të materializohet midis tremujorit të parë dhe të katërt të 2025.

 

Ata tani vlerësojnë rritjen e Eurozonës në 0.8% në 2025, nga një parashikim i mëparshëm prej 1.1%. Në vitin 2026, rritja parashikohet në 1%, nga 1.1%.

 

Tarifat dhe normat e interesit

 

Një shkak për shqetësim janë tarifat e sugjeruara nga Trump për importet nga Europa.

 

“Ndërsa tarifa e propozuar prej 10% është një rrezik i qartë, pritshmëria jonë bazë është, që Trump të vendosë një grup më të kufizuar tarifash për ekonomitë europiane, duke synuar kryesisht eksportet e automjeteve,” thanë studiuesit e GS.

 

Sipas ACEA, SHBA është tregu i dytë më i madh për eksportet e automjeteve në BE, të llogaritura në njësi – pas Britanisë së Madhe.

 

Në vitin 2023, 16.9% e eksporteve të makinave të reja nga BE shkuan në SHBA.

 

Ekonomistët e GS megjithatë shtuan se pavarësisht rrezikut të detyrimeve të importit, “madhësia aktuale e rritjes së tarifave mund të ketë më pak rëndësi për rritjen, sesa pasiguria e krijuar në politikën tregtare”.

 

Raporti analizoi gjithashtu efektet e mundshme inflacioniste të tarifave në Eurozonë, duke vlerësuar një rritje prej gjashtë pikësh.

 

Tarifat mund të rrisin inflacionin, pasi mallrat e importuara do të jenë më të shtrenjta, megjithëse ekonomistët sugjeruan se rritja e kostove të importit do të balancohet nga ulja e kërkesës për këto mallra në Eurozonë.

 

Në temën e kostove të huamarrjes, raporti thoshte se axhenda e politikave të Trumpit duhet të përforcojë rastin për norma më të ulëta interesi në të gjithë Europën.

 

Normat e reduktuara të politikës monetare mund të ndihmojnë Eurozonën për të rritur prodhimin e saj, i cili do të ndikohet negativisht nga politikat e Trump.

 

“Ne e ulim parashikimin tonë për normën terminale të depozitave të BQE-së nga 2% në 1,75% duke shtuar një ulje të mëtejshme të normës prej 25 pikë bazë në korrik 2025”, thanë ekonomistët.

 

Studimi nga GS sugjeron se fitorja e Trump ka të ngjarë të rezultojë në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në Europë.

 

Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur aleancën ushtarake NATO-n, duke argumentuar se SHBA-të kontribuojnë shumë, ndërsa anëtarët e BE-së nuk shpenzojnë mjaftueshëm.

 

Presidenti i zgjedhur ka sugjeruar gjithashtu se SHBA do t’i jepte fund luftës në Ukrainë “në 24 orë”.

 

Ai nuk ka dhënë detaje se si do të arrihet kjo, por ka të ngjarë, që Trump të shkurtojë mbështetjen për Ukrainën, duke rrezikuar kështu sigurinë në Europë.

 

Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes ka potencialin për të nxitur rritjen, pasi më shumë fonde do të alokohen në sektorë të lidhur me prodhimin ushtarak.

 

Megjithatë, ekonomistët e GS parashikuan se çdo nxitje e rritjes që rezulton, ka të ngjarë të “kufizohet nga shumëzuesit modestë të shpenzimeve ushtarake në Europë, presioni në rritje mbi rendimentet afatgjata nga deficitet më të larta dhe efektet negative të besimit nga rreziku i rritur gjeo-politik”.

 

Me fjalë të tjera, rritja në sektorin e mbrojtjes nuk do të përhapet domosdoshmërisht në pjesën tjetër të ekonomisë.

 

Për më tepër, deficitet më të larta të qeverisë të lidhura me shpenzimet e mbrojtjes do të rrisin kostot e huamarrjes, duke kufizuar kështu rritjen.

 

Analistët e GS parashikuan gjithashtu se “ndikimi neto nga ndryshimet në politikat makro dhe kushtet financiare të SHBA” do të jenë të vogla.

 

Pritet që Shtetet e Bashkuara të shohin një rritje të inflacionit për shkak të politikave të propozuara të Trump, të cilat mund ta shtyjnë Rezervën Federale të ngadalësojë uljen e normave të interesit.

 

Kjo ka të ngjarë të forcojë dollarin, duke dobësuar kështu euron. 

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/parashikimet-ekonomike-te-eurozones-u-ulen-pas-fitores-se-trump/)


Më të lexuarat