Secondary Adv

Rivleresimi i apartamenteve, zbardhen cmimet per shtepite para vitit 1995

Qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë shtëpitë e privatizuara para vitit 1990, me taksën e re 2 për qind do t’i bëjnë me një çmim fiskal dysheme që është përcaktuar nga qeveria.


Duke qenë se apartamentet e ndërtuara para viteve 1990, u privatizuan gjatë viteve 1992 deri në 1995 me çmime simbolike, nga 12 mijë lekë deri në 30 mijë lekë, qeveria për to ka përcaktuar një tjetër çmim minimal fiskal.Zbardhen çmimet fiskale të blerjes për shtëpitë e privatizuara në Tiranë dhe formularin me përllogaritjet e taksës që do të paguajnë qytetarët pas 1 shtatorit, kur hyn në fuqi amnistia për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Si vlerë minimale fiskale për blerjen e shtëpisë do të merret kostoja mesatare për metra katror e sipërfaqes së shfrytëzueshme të përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave.


Për Tiranën çmimi minimal fiskal i blerjes për të gjitha apartamentet e ndërtuara para 1990 të privatizuara, por që pronari nuk e ka shitur asnjëherë apo dhuruar me akt trashëgimie si çmim blerjeje do të jetë vlera 16,664 lekë për metër katror. Në rast të rivlerësimit të shtëpisë vlera e sotme e apartamentit do të llogaritet sipas çmimeve minimale fiskale të ndara në 32 zona për kryeqytetin.Pra, në Tiranë për të gjithë pronarët e shtëpive që kanë privatizuar apartamentet gjatë viteve 1992-1995, çmimi aktual i shtëpisë do t’i llogaritet sipas çmimeve minimale fiskale të miratuara nga qeveria dhe e ka blerë atë me 16.664 lekë/ m2.


Mbi diferencën e çmimit të sotëm të shtëpisë dhe asaj të mëparshëm do të llogaritet taksa 2 për qind që ai do të paguajë për rivlerësimin. Llogaritjet për taksën 2 për qind që do të paguhet në hipoteka do të kryhet sipas formularit të publikuar nga gazeta për Tiranën.


Shembull
Në rast se një qytetar ka privatizuar një apartament 60 metra katror në zonën e ishBllokut, gjatë viteve 1992-1995, me një çmim simbolik 20 mijë lekë dhe vendos ta rivlerësojë për ta kthyer pronën e tij me vlerën e çmimit të tregut.Për këtë shtëpi për të llogaritur çmimin e blerjes, pavarësisht vlerës së privatizimit të saj, do të përdoret çmimi 16,664 lekë për metër katror. Vlera e çmimit të apartamentit të blerë në zonën e ish-Bllokut është 999,840 lekë. Në rast se ai do të rivlerësojë shtëpinë çmimi aktual fiskal do të llogaritet sipas çmimeve të përcaktuara nga qeveria të ndara në zona. Në zonën e ish-Bllokut apo zona 5/1 çmimi minimal fiskal i përcaktuar është 190 mijë lekë për metër katror.


Duke qenë se ky apartament nuk është shitur asnjëherë dhe as nuk është dhuruar me kontratë trashëgimie, për llogaritjen e çmimit aktual do t’i zbritet 30 për qind koeficienti i amortizimit.Pra, në këtë rast vlera e re e shtëpisë në rast rivlerësimi do të jetë 7,980,000 lekë. Për rivlerësimin ai duhet të paguajë 2 për qind të diferencës së çmimit të rivlerësuar dhe çmimit të blerjes. Në këtë rast, diferenca është 6,980,160 lekë dhe tarifa që ai duhet të paguajë në hipotekë është 139,603 lekë. Pas kësaj pagese, vlera e shtëpisë së tij do të jetë 7,980,000 lekë./Panorama


Më të lexuarat