Skema e re: Primi i sigurimit te baneses te zbritet nga te ardhurat vjetore te individeve
Shqipëria ende nuk ka një ligj për sigurimin e detyrueshëm të pronave, i vetmi projektligj i hartuar pas tërmetit të nëntorit 2019 ka mbetur pezull dhe ende nuk ka mbërritur në Kuvend.
Në një situatë të tillë deputeti socialist Erion Braçe propozon që nga tatimet vjetore mbi të ardhurat, qytetarëve që sigurojnë pronën e tyre, tu kthehet pas një pjesë nga tatimi i paguar për të shlyer primin e sigurimit.
Pesë vite nga tërmeti tragjik i nëntorit të vitit 2019, dhe ende pa një ligj për sigurimin e detyrueshëm të banesës nga fatkeqësitë natyrore.
"S'u kërkojmë dot njerëzve që duhet të paguajmë, por duhet ta bëjmë të qartë që kjo është hera e fundit. Sigurimi të bëhet i detyrueshëm", ka deklaruar kryeministri Edi Rama më 9 dhjetor 2019.
Pas kësaj deklarate të kryeministrit Edi Rama më 9 dhjetor 2019, pak ditë pas tërmetit që la pas 51 viktima, e mijëra të pastrehë, qeveria u ul për të hartuar një skemë sigurimi të detyrueshëm të banesave ndaj fatkeqësive natyrore.
Drafti i parë zyrtar u publikua gjatë vitit 2023, për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, që parashikonte futjen në skemën e sigurimit të gjitha banesat pavarësisht funksionit të saj, nëse përdoret për të jetuar, për të punuar apo qëllime të tjera.
Kjo skemë sigurimi do të menaxhohej nga shteti, të gjitha kompetencat për përcaktimin e kostove, të primit të sigurimit si dhe të vlerës maksimale të dëmshpërblimit do ti kishte këshilli i Ministrave dhe Bordi Drejtues i Fondit Kombëtar të Tërmeteve, që do të ngrihej në funksion të këtij ligji.
“Me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut”, u shprehej në 18 tetor 2023 ministri i Financave aso kohe Ervin Mete.
Por ky projektligj ka mbetur vetëm në faqen e Konsultimit Publik prej më shumë se një vit, dhe asnjëherë nuk është futur në agjendën parlamentare për diskutim.
Në kushtet kur ndryshimet klimatike sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare janë rrezik për ekonominë në tërësi, deputeti i PS-së Erion Braçe vjen me një tjetër propozim për sigurimin e banesave.
“Të konsiderohet shpenzim i zbritshëm për çdo sigurim prone nga fatkeqësitë natyrore që sa vijnë e bëhen më të shpeshta. Ma zbrit mua nga të ardhurat e mia, nuk është ndonjë gjë e madhe.
Po kërkoj 50-200 euro në vit policë sigurimi nga të ardhurat e mia të tatueshme. Nuk i bën ndonjë dëm të madh buxhetit të shtetit. Kemi 5 vite që paguajmë për tërmetin e vitit 2019-ës”, tha Braçe në komisionin e Ekonomisë më 5 nëntor 2024.
Pra propozimi është që nga të ardhurat vjetore të tatueshme të një individi një shumë e caktuar të zbritet, për tu përdorur për të paguar primin e sigurimit të banesës.
Praktikisht njohja e këtij shpenzimi mund të bëhet përmes plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave personale, ku së bashku me të ardhurat vjetore dhe tatimin e paguar nga individi, shënohet edhe shifra që do kthehet pas për të paguar sigurimin e banesës, që do të njihet si shpenzim i zbritshëm.
Në këtë mënyrë lehtësohet barra tatimore e individit sepse një pjesë e tatimit të paguar i kthehet pas, dhe nga ana tjetër paguan edhe sigurimin e banesës.
Aktualisht janë 42 mijë kontrata sigurimi të lidhura për mbrojtjen e pronës nga zjarri apo dëmtime të tjera, ndërkohë që në vend janë mbi 1 milionë banesa.
Ekspertët thonë se shumica e pronave të siguruara janë ato që merren me kredi bankare, ku blerësit detyrohen të kenë një kontratë sigurimi për të marrë huanë.
SIGURIMI I PRONAVE NË SHQIPËRI
Viti 2023 41,450 kontrata sigurimi
Viti 2024 42,425 kontrata sigurimi
Rritja +975 kontrata sigurimi
/Burimi: Shqiptarja.com