Secondary Adv

Raporti i kredive te keqija zbriti ne 4.58 per qind ne shtator, niveli me i ulet ne 16 vjet

Raporti i kredive me probleme pësoi një tjetër rënie të lehtë në muajin shtator.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra në 4.58%, nga 4.61% që ishte për muajin gusht dhe 5.24% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Raporti i kredive me probleme ka prekur kështu një nivel të ri minimal për 16 vitet e fundit. Megjithatë, duke patur parasysh ritmet relativisht të larta të rritjes së portofolit të kredisë këtë vit, ulja e raportit të kredive me probleme duket se është modeste.

 

Ky është një tregues i faktit se stoku i kredive me probleme është rritur dhe po ndjek zgjerimin e portofolit të kredisë.

 

Në fund të muajit shtator portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën e 813 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12%. Mbi këtë vlerë, totali i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 37.2 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2023.

 

Kjo tregon se, në vlerë absolute, kreditë e këqija janë rritur me 2.2 miliardë lekë ose afërsisht 6.3% që nga fillimi i vitit.

 

Portofoli i kredisë për ekonominë këtë vit po rritet me ritmin më të shpejtë që prej vitit 2008. Rritja e kredisë po mbështetet sidomos nga një përshpejtim i ndjeshëm i kreditimit për bizneset.

 

Në këtë segment, rritja vjetore ka arritur në 13%, ndërkohë që edhe kredia për individë vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme, me 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Sipas qëllimit të kredisë, rritja po mbështet veçanërisht nga kredia për pasuri të paluajtshme e bizneseve dhe individëve.

 

Përshpejtimi i rritjes së kredisë dhe zgjerimi i ekspozimit në tregun e pasurive të paluajtshme ka ngjallur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë.

 

Në mesin e këtij viti, Banka Qendrore vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, me 0.25 pikë përqindje.

 

Madje, në muajin tetor, Banka e Shqipërisë paralajmëroi se, nëse kreditimi do të vazhdojë të zgjerohet me ritmet e muajve të fundit, rritja e mëtejshme e kësaj norme në fund të vitit 2024 ka një probabilitet të lartë.

 

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

 

/Burimi: Monitor (https://monitor.al/raporti-i-kredive-me-probleme-ra-serish-lehte-ne-shtator-arrin-nivelin-me-te-ulet-ne-16-vjet/)


Më të lexuarat