INSTAT: Eksportet bien me 0.6 per qind ne muajin korrik
Eksportet shqiptare pësuan sërish rënie gjatë muajt korrik. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet ranë me 0.6%, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Për shtatëmujorin e parë të vitit, bilanci i eksporteve rezultoi negativ, me 6.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.Rënia e eksporteve i detyrohet sidomos grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ku për gjashtë muajt e këtij viti eksportet kanë rënë me afro 42% krahasuar me një vit më parë.Sektori i industrisë nxjerrëse po e vuan ndjeshëm rënien e çmimeve të lëndëve të para, duke humbur njëkohësisht edhe pozicionin e rëndësishëm në strukturën e eksporteve shqiptare. Nëse një vit më parë mineralet siguronin 29% të eksporteve, pesha e tyre tashmë ka rënë në 18%. Në rënie të dukshme është edhe grupi “materiale ndërtimi e metale”, me 23% më pak eksporte krahasuar me një vit më parë. Në dy vitet e fundit, kolona kryesore e eksporteve është rikthyer të jetë sektori i fasoneve.
Për shtatëmujorin, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 53.7 miliardë lekë, në rritje vjetore me 21%. Eksportet e këtij grupi përbëjnë tashmë 46% të totalit të eksporteve. Importet shënuan një frenim në muajin korrik, pas disa muajve radhazi në rritje. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, importet pësuan një rënie me 5%.
Megjithatë, për shtatëmujorin ecuria e importeve ngelet në rritje, me 6.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është e shpërndarë në shumicën e grupmallrave, por udhëhiqet sidomos nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “material ndërtimi e metale”.Kjo tregon se rritja e importeve po vjen sidomos falë zgjerimit të investimeve në ekonomi. Muaji korrik e frenoi disi rritjen e deficitit tregtar, që sidoqoftë ngelet ndjeshëm më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për shtatë muaj, deficiti i këmbimve tregtare ka arritur në 158 miliardë lekë, 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.