Secondary Adv

20.8 mln euro për gazifikimin e Korçës, 13.3 mln euro nga rezidentet, detajet

Albgaz dhe SOCAR i Azerbajxhanit do të nisin pas pak muajsh zbatimin e projektit të gazifikimit të Korçës.

 

Projekti që parashikohet të nisë gjatë vitit 2025, është planifikuar që të dorëzohet në vitin 2027.

 

Por sa është vlerë e këtij projekti dhe si do të realizohet mbulimi i qytetit?

 

20.8 mln euro është vlera që nevojitet për gazifikimin e qytetit të Korçës.

 

Ndërkohë që pjesa më e madhe prej 13.3 mln euro do të duhet të investohet nga rezidentët.

 

Detajet përfshihen në planin 10-vjeçar të investimeve të kompanisë shtetërore të gazit, ALBGAZ ku specifikohet se 7 mln euro janë projeksionet e bashkisë për vlerën e investimeve që do të zëvendësojnë burimet primare të ngrohjes, sikurse është lënda drusore, përfshirë instalacionet e boilerave.

 

Investimet e kërkuara mbulojnë stacionin e uljes së presionit dhe matjes, një tubacion 5 km të gjatë nga pika e daljes së TAP deri në stacionin e portës së qytetit, stacionin e gazit të qytetit, gjashtë tubacione kryesore, me gjatësi totale 27.5 km, si dhe tubacionet dytësore, me një gjatësi totale prej 42.5 km, duke përfshirë lidhjet. 

 

Sipas dokumentit, numri i konsumatorëve përfshin 30 institucone dhe 6074 njësi banimi, teksa specifikohet se për suksesin e projektit është kritike që bashkia të sigurojë buxhet për ndërtimin e instalimeve të brendshme të gazit për institucionet nën drejtimin e saj sikurse janë shkollat, kopshtet, muzetë apo zyra publike. Çmimi mesatar i gazit natyror është projektuar përafërsisht 40 euro/mwh.

 

Projekti i gazifikimit të Korçës është evidentuar si projekt i rëndësishëm, ndërsa përmes një vendimi të mëparshëm qeveria ndryshoi Masterpalnin e Gazit, duke e listuar te projektet prioritare në periudhën afatshkurtër. /Burimi: Scan


Më të lexuarat