Presidenti Biden pritet të zhvillojë bisedime me homologun Xi në takimin e nivelit të lartë të APEC
Dy homologët pritet të rishikojnë fushat e bashkëpunimit, veçanërisht rifillimin e kontakteve mes forcave ushtarake, të diskutojnë mbi përpjekjet për të luftuar krizën globale të fentanilit dhe trajtimin e rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, tha të mërkurën në një takim informues për gazetarët një zyrtar i lartë i administratës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti i Kinës Xi Jinping do të takohen në 16 Nëntor në kuadër të takimit të nivelit të lartë të APEC-ut në Lima të Perusë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
Dy homologët pritet të rishikojnë fushat e bashkëpunimit, veçanërisht rifillimin e kontakteve mes forcave ushtarake, të diskutojnë mbi përpjekjet për të luftuar krizën globale të fentanilit dhe trajtimin e rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, tha të mërkurën në një takim informues për gazetarët një zyrtar i lartë i administratës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të shprehë “shqetësimin e thellë” mbi përkrahjen e Pekinit për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe dislokimin e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej. Zyrtari tha se Presidenti Biden pritet të ritheksojë “shqetësimin” mbi politikat e padrejta tregtare të Kinës dhe praktikat ekonomike që dëmtojnë punëtorët amerikanë.