Secondary Adv

KE: Ekonomia do të ngadalësohet në 2025, shkak emigracioni

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025, duke u ngadalësuar lehtë në krahasim me pritshmërinë e këtij viti prej 3.8% dhe nivelit prej 3.9% që u zgjerua në 2023.


Parashikimi është bërë në raportin e vjeshtës të Komisionit Europian. Ky i fundit pret dhe një ngadalësim të punësimit, të ndikuara nga emigracioni dhe rënia e popullsisë. Nga ana tjetër edhe ritmet e rritjes së turistëve pritet të ngadalësohen, parashikon Komisioni.

 

Sipas raportit, rritja ekonomike vazhdoi të jetë e fortë në vitin 2024 e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik. Pas katër viteve të ritmeve të larta të rritjes, rritja e PBB-së pritet të zbutet në 3.6% në 2025 dhe 3.5% në 2026 pasi konsumi familjar dhe publik pritet të ngadalësohet.

 

Pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% të bankës qendrore gjatë vitit të ardhshëm. Deficiti fiskal pritet të zgjerohet pak përpara se të bjerë në 2% të PBB-së në vitin 2026.

 

 Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së.

 

Raporti thekson se punësimi u rrit në vitin 2023 dhe pritet të përmirësohet më tej gjatë viteve 2024-2026, megjithëse me një ritëm më të moderuar. Shkalla e papunësisë pritet të bjerë më tej.

 

Pavarësisht përmirësimeve në tregun e punës, emigracioni mbetet një problem. Rezultatet paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2023, të publikuara në qershor të këtij viti,

 

 treguan se popullsia e Shqipërisë ra nga 2.8 milionë në 2011 në 2.4 milionë në 2023 (një reduktim prej 14%), duke tkurrur popullsinë në moshë pune.

 

Sipas KE, për 2025-2026 rritja e PBB-së parashikohet përkatësisht në 3.6% dhe 3.5%, duke u moderuar disi në krahasim me vitet e mëparshme, por duke mbetur e qëndrueshme. 

 

Përmirësimi i ngadaltë i punësimit do të ndikojë negativisht mbi konsumin privat, ndërkohë që konsumi publik parashikohet të ngadalësohet pas rritjeve të ndjeshme të pagave publike gjatë viteve 2023-2024, si pasojë e reformës së pagave publike.

 

Nga faktorët e jashtëm, eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, por rritja e ardhjes së turistëve pritet të zbutet, pas ritmeve dyshifrore të rritjes në vitet e mëparshme. Eksportet e mallrave parashikohen të rikuperohen pasi të arrijnë fundin në vitin 2024.

 

Rreziqet për ekonominë mbeten të larta, parashikon Komisioni, të lidhura me luhatshmërinë e kursit të këmbimit, rritjen e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar të ndikuar nga emigracioni dhe një rishfaqje të mundshme të presioneve inflacioniste.

 

/Monitor (https://monitor.al/ke-ekonomia-do-te-ngadalesohet-ne-2025-nga-pasojat-e-emigracionit-me-pak-dhe-turiste/)


Më të lexuarat