Hapen aplikimet në e-Albania për menaxhimin e stacioneve të plazhit
U hapën sot aplikimet online në portalin e-Albania për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi.
Agjencia Kombëtarë e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njofton se për bizneset e interesuara aplikimet do të qëndrojnë të hapura 30 ditë.
Sipas AKSHI-t se për të pestin vit radhazi, subjekteve u krijohet mundësia të dërgojnë online kërkesën për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit gjatë sezonit turistik, të cilën e trajton Agjencia Kombëtare e Bregdetit, sipas prioriteteve dhe kushteve të përcaktuara.
“Në bazë të Vendimit të Qeverisë pak javë më parë, ku u miratua rregullorja për kushtet dhe kriteret për përdorimin e hapësirës së plazheve nga subjektet private, prioritet për stacione plazhi do të kenë vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet e vijës së parë të bregdetit, si dhe ato që ndodhen afër saj.
Edhe pse duket si një procedurë e gjatë, aplikimi online për fazën e parë zgjat vetëm një minutë dhe çdo njoftim për të kaluar nga një hap në tjetrin i mbërrin subjektit aplikues elektronikisht në e-Albania.
Shërbimin elektronik “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi”, përdoruesit e aksesojnë si biznes, duke plotësuar kërkesën sipas formatit standard. Përzgjidhet një nga numrat identifikues të stacionit të plazhit, sipas hartës digjitale të hapësirave të lejuara dhe ngarkohet dokumentacioni i nevojshëm, si:
Plani i operimit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi dhe strukturë shërbimi;
Foto të jashtme të qarta të strukturës akomoduese, të cilat të identifikojnë strukturën akomoduese para/ në afërsi në raport me hapësirën e plazhit;
Foto të qarta të hapësirës së plazhit (stacionit të plazhit) për të cilën po aplikohet.
Pas kalimit me sukses të fazës së parë, aplikuesi së bashku me AKB-në dhe njësinë vendore njoftohen elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, për hapjen e fazës së dytë , ku kërkohet plotësimi me dokumente specifike, shumë të rëndësishme për finalizimin me sukses të aplikimit:
Planvendosja përkatëse e stacionit të plazhit, ku specifikohet numri i çadrave, duke mbajtur në konsideratë distancat e parashikuara në këtë rregullore dhe sipërfaqen konkrete;
Mandatpagesa vjetore e sipërfaqes së stacionit të plazhit nga ana e Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore, si palë përfituese, sipas tarifave vendore në fuqi;
Vërtetimi i shlyerjes së të gjithë detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore.”
Me përfundimin me sukses edhe të fazës së dytë, sipas AKSHI miratohet kërkesa për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, konfirmim ky që i shkon aplikuesit nëpërmjet e-Albania për t’u përmbyllur me nënshkrimin e kontratës nga 1 deri 5-vjeçare dhe lëshimin e certifikatën përkatëse.