
Javën e ardhshme do të zhvillohet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare.
Shuma e planifikuar e emetimit të obligacioneve për ankandin e datës 25 nëntor është 1.5 miliardë lekë.
Yield-i i këtyre instrumenteve ka ardhur në rënie gjatë vitit në vazhdim, ashtu siç ka ndodhur në përgjithësi me të gjitha instrumentet e borxhit të qeverisë.
Në ankandin e fundit, të muajit gusht, yield-i uniform i pranuar zbriti në 6.98%, nga 7.45% në ankandin e mëparshëm të muajit maj dhe nga 7.94% që kishte qenë në ankandin e muajit shkurt.
Sidoqoftë, obligacionet 15 vjeçare janë titujt më afatgjatë të emetuara nga qeveria shqiptare dhe zakonisht ofrojnë edhe kthimet më të larta mes letrave të borxhit të qeverisë. Ato synohen sidomos nga investitorët që duan kthime të larta kundrejt investimeve financiare afatgjata.
Obligacionet afatgjata janë ndër instrumentet më të lakmuara për investitorë të veçantë institucionalë, si fondet private të pensioneve. Megjithatë, obligacionet 15-vjeçare mund të jenë një alternativë e mirë për kthime të larta nga kursimet të investitorëve të vegjël.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për 9-mujorin 2024, individët investuan 23.1 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 18.3% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Në veçanti, investimi në obligacione zbriti në 5.3 miliardë lekë, 4.9% më pak krahasuar me 9-mujorin 2023.
Rënia e investimit të individëve në bono dhe obligacione vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si rezultat i rënies së mëtejshme të yield-eve gjatë këtij viti.
Në një situatë të tillë, individët duket se po tregohen më të interesuar për të blerë tituj të emetimeve të mëparshme në tregun dytësor, që ofrojnë kthime më të larta krahasuar me emetimet e reja.
Sipas statistikave të AMF-së, individët blenë afërsisht katër miliardë lekë tituj nga portofolat e bankave, me një rritje prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.
Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.
Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.
Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.
/Monitor (https://monitor.al/mundesi-investimi-javen-e-ardhshme-zhvillohet-ankandi-i-obligacioneve-15-vjecare-2/)
Më të lexuarat








