Secondary Adv

Hyjnë në fuqi kriteret e reja për funksionimin e agjencive të punësimit

Agjencitë private të punësimit për ushtrimin e aktivitetit të tyre, ndërmjetësimit për punë, duhet të kenë një minimum rezerve sigurie të ngurtësuar me vlerë jo më pak se 1 mln lekë. 


Gjatë ushtrimit të aktivitetit privat agjencitë e punësimit bashkëpunojnë me zyrat shtetërore të punësimit për shkëmbimin e njoftimeve të vendeve të lira të punës.

 

Krahas saj tashmë agjencitë çdo 6 muaj, duhet të njoftojnë ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për strukturën, veprimtarinë e vet dhe për ruajtjen e çdo kriteri të licencimit.

 

Shtesat dhe ndryshimet ligjore për funksionimin e agjencive private të punësimit përcaktohen në vendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 101, datë 23.2.2018, të Këshillit të Ministrave,

 

“Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të agjencive private të punësimit” të botuar në Fletoren Zyrtare.

 

“Pas pikës 6 shtohen pikat 6.1 dhe 6.2, me këtë përmbajtje: “6/1. Agjencia mban evidenca për ndërmjetësimet e kryera, duke përfshirë dokumentet, si më poshtë vijon: a) regjistrin, me numrin identifikues përkatës për çdo të ndërmjetësuar;

 

b) dokumentin identifikues të ndërmjetësuarit; c) regjistrin me të dhënat identifikuese të subjekteve tregtare përkatëse, që kanë punësuar të ndërmjetësuarin/it. 6/2. 

 

Agjencia, gjatë gjithë aktivitetit të saj, duhet të ketë një minimum rezervë sigurie të ngurtësuar, jo më pak se 1,000,000 (një milion) lekë të provueshme nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi, 

 

e licencuar nga shteti për të ushtruar këtë veprimtari, që mund të përdoret për kompensimet ndaj të tretëve.”

 

Agjencia, çdo 6 (gjashtë) muaj, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit për strukturën, veprimtarinë e vet dhe për ruajtjen e çdo kriteri të licencimit.””, thuhet ndër të tjera në vendim.

 

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se për rastet e shkeljeve të provuara revokimi i licencës së aktivitetit do të kryhet nga ministri përgjegjës për çështjet e punësimit. 

 

Në vendimin e mëparshëm parashikohej ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit njoftonte Qendrën Kombëtare të Biznesit për revokimin e licencës.

 

Licenca e aktivitetit revokohet në rastet kur agjencia apo personi fizik/juridik ka qenë i dënuar për vepra penale, reklamon njoftime të rreme për ndërmjetësim punësimi, provohet se ka kërkuar tarifa nga punëkërkuesi për shërbimin e ofruar etj.

 

Vendimi nr.101 i datës 23.02.2018 “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të agjencive private të punësimit” përcakton se inspektimet periodike për të përcaktuar përputhshmërinë e aktivitetit konform ligjit, kryhen nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

 

Me ndryshimet e miratuara përveç inspektimeve nga Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të publikohen në faqet e tyre zyrtare të internetit të dhënat për agjencitë private të punësimit të licencuara.

 

Vendimi i ndryshuar përcakton se për licencat aktive, për nënkategorinë X.2.A, të dhëna para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, brenda afatit kohor prej 120 ditësh kalendarike, subjektet kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, 

 

në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, në të kundërt ajo do të revokohet.

 

/Monitor (https://monitor.al/hyjne-ne-fuqi-kriteret-e-reja-per-funksionimin-e-agjencive-te-punesimit/)


Më të lexuarat