Bonusi i fundvitit, Rama: 100-150 euro, pensionistët bonus edhe në pranverë
Pensionistët do të marrin 100 deri në 150 euro bonus në fund të vitit, deklaroi kryeministri Rama në Kuvend.
Kreu u qeverisë tha në fjalën e tij se qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë euro për bonusin e fundvitit.
“Qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit.
Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro.
Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.
Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët.
Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400, 500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65, 800 invalidë pune dhe 44, 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim.
Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë”.
Përveç bonusit të fundivitit, pensionistët do të marrin edhe një bonus në pranverë.
“Paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë.
Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë,
edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës.
Dhe vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve,
pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade”.