Secondary Adv

Pas riorganizimit ERRU licencon ujësjellësin e Vlorës, shërbim për tre bashki

Tre bashki do të marrin shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura nga shoqëria rajonale e licencur për herë të parë javën e shkuar nga Enti Rregullator i Ujit.


Bëhet fjalë për shoqërinë e krijuar si efekt i reformës së agregimit dhe me një vendim të datës 8 nëntor ERRU ka sanksionuar se licenca është e vlefshme për 4 vjet.

 

Kërkesa për licencim u bë më herët në shtator nga shoqëria rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë sh.a.

 

Sipas kësaj shkrese që parashtrohen në vendimin e ERRU thuhet se shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë sh.a është themeluar më datë 20.09.2023,

 

 me aksionarë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 51%, Bashkitë Vlorë me 41.35%, Himarë me 4.6%, Selenicë me 3.05%.

 

“Shoqëria Rajonale UK Vlorë sh.a deklaron se ofron shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura për 309,732 banorë të Bashkive Vlorë, Himarë, Selenicë” thuhet në vendim.

 

Duke bërë një analizim të përmbushjes së kërkesave të nevojshme Enti ka dalë në përfundimin se ato tashmë janë plotësuar dhe si efekt i kësaj vjen edhe miratimi i licencës. 

 

Shoqërive u kërkohet që të bëjnë plotësimin e kushteve që lidhen me aftësi tekniko-profesionale, aftësi financiare të nevojshme për të përmbushur funksionet dhe për të plotësuar kushtet e licencës, 

 

përvojën në sektorin e ujësjellësve dhe kanalizimeve të mjaftueshme për të marrë përsipër detyrimet që ka licenca, si dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve në lidhje me cilësinë, efiçencën, vazhdueshmërinë dhe garancinë e shërbimit.

 

Duke pasur parasysh plotësimin e këtyre kushteve ERRU vendosi miratimin e licencës në kategorinë A -Për grumbullimin dhe shpërndarjen e ujit për konsum publik; Kategoria C – Për largimin e ujërave të ndotura.

 

“Zona e shërbimit të shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë sh.a janë Bashkitë Vlorë, Himarë, Selenicë. 4. Kjo licencë është e vlefshme për një periudhë 4 vjeçare” thuhet në vendim.

 

/Monitor (https://monitor.al/pas-riorganizimit-erru-licencon-ujesjellesin-e-vlores-sherbim-per-tre-bashki/)


Më të lexuarat