Secondary Adv

Propozohen ndryshime për funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve IPA dhe IPARD

Nga Këshilli i Ministrave janë propozuar ndryshime ligjore për funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian (AAPAA).


Në fokus të Agjencisë është auditimi i programeve të BE-së, si IPA dhe IPARD.

 

Drafti i propozuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Europian, në Republikën e Shqipërisë” është publikuar për konsultim publik.

 

Projektligji propozon heqjen e kompetencës së Këshillit Mbikëqyrës për miratimin e programeve vjetore dhe strategjike të auditimit, duke përcaktuar “Drejtorin e përgjithshëm” si autoritetin përgjegjës për kryerjen e auditimeve dhe lëshimin e opinioneve vjetore.

 

“Në përputhje me marrëveshjen kuadër, efektet e ndryshimit duhet të jenë të tilla që drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Auditimit, të ketë kompetencat e hartimit dhe miratimit të Strategjisë së Auditimit, raporteve vjetore të aktivitetit të auditimit, si dhe opinioneve vjetore të auditimit. 

 

Drejtori i përgjithshëm përcakton metodologjinë, metodat e përzgjedhjes që do të zbatohen për auditimet, si dhe për planifikimin e auditimeve.

 

Këshilli Mbikëqyrës mund të ushtrojë, detyra të mbikëqyrjes, të cilat nuk duhet të bien në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes kuadër, për sa i përket autoritetit të auditimit, 

 

duke i hequr në këtë mënyrë kompetencat e miratimit të programeve vjetore dhe strategjike të auditimit”, citohet në relacionin e draftit.

 

Ndryshimet e propozuara që kanë si synim rishikimin e kompetencave të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë,  sipas relacionit shoqërues të draftit mbështeten në gjetjet e raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë të vitit 2021,

 

 si dhe Raportit final të gjetjeve dhe rekomandimeve për Republikën e Shqipërisë nga DG NEAR Ref.Ares (2024)398249 – 18/01/2024.

 

Në këto raporte përcaktohen qartë se si duhet të reflektohen ndryshimet në ligjin aktual të AAPAA-s për kompetencat dhe përgjegjësitë midis Këshillit Mbikëqyrës dhe drejtorit të Përgjithshëm të AAPAA-s.

 

Ndër të tjera në draft përcaktohet se Këshilli Mbikëqyrës do të përbëhet nga tre anëtarë, të cilët emërohen nga Kryeministri për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

 

Bazuar në Ligjin Nr. 90/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian”, AAPAA ka si objekt të veprimtarisë auditimin për sistemet e menaxhimit dhe kontrollit për veprimet, 

 

transaksionet dhe llogaritë vjetore të mbështetjes financiare të Bashkimit Europian, për fondet para dhe pas anëtarësimit.

 

Agjencia, nëpërmjet auditimeve, ofron siguri lidhur me sistemet e drejtimit, kontrollit të brendshëm, auditimit të brendshëm, mbikëqyrjes, kontabilitetit në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit, marrëveshjet kuadër,

 

 rregulloret e aplikueshme të Bashkimit Europian dhe Strategjinë e Auditimit të Agjencisë.

 

Në vitin 2022 strukturat e audituara nga agjencia kanë qenë programet e fondeve IPA dhe IPARD II.

 

Në raportin vjetor të Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian për programin IPARD II thuhet se është finalizuar auditimi i llogarive në periudhën Janar – Shkurt 2022, dërguar pranë strukturave IPARD.

 

Është finalizuar Raporti Vjetor i Aktiviteteve Audituese dhe Opinioni Vjetor i Auditimit për programin IPARD II në periudhën Mars 2022, dërguar pranë Komisionit Evropian dhe strukturave IPARD.

 

Gjithashtu është finalizuar auditimi i sistemit për programin IPARD II në periudhën Prill – Gusht 2022 dhe auditimi i operacioneve për programin IPARD II për deklaratat e shpenzimeve të tremujorit të parë dhe të dytë në periudhën Shtator 2022 – Janar 2023.

 

/Monitor (https://monitor.al/propozohen-ndryshime-per-funksionimin-e-agjencise-se-auditimit-te-programeve-ipa-dhe-ipard/)


Më të lexuarat