
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, nga 1 janari me pikëkalime të përbashkëta kufitare
Nga 1 janari i vitit 2025 në dy pika kufitare, Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboqicë, do të zbatohet modeli hyrje – hyrje ku zyrtarët e policisë do të punojnë së bashku në një ndërtesë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka thënë se nga 1 janari i vitit 2025 do të lehtësohet edhe më shumë lëvizja e qytetarëve mes dy vendeve.
Kurti tha se nga 1 janari i vitit të ardhshëm në dy pikat kufitare, Bllack-Hani i Elezit dhe Jazhnic-Glloboqic do të zbatohet modeli hyrje-hyrje, ku zyrtarët do të punojnë në një ndërtesë të përbashkët, e që sipas tij kjo do të shkurtojë edhe pritjet e gjata në kufi.
“1 janar 1 nëntor janë regjistruar 5 milionë kalime kufitare në të dy kahjet. Nga 1 janari 2025 në dy pikat kufitare Bllac dhe Han Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë do të zbatohet modeli hyrje-hyrje, ku zyrtarët tanë do të punojnë së bashku në një ndërtesë.
Do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve tanë. Mirëpresim përfundimin e autostradës nga Bllaca në Shkup, që do të lidhte rrjetin e autostradave me autostradën Arbën Xhaferi”, tha Kurti në mbledhjen mes dy qeverive që po mbahet në Prishtinë.
Ai ka thënë se dy qeveritë kanë bërë shumë përparime e punë të mira që nga viti 2021.
“Që nga takimi ynë i parë në vitin 2021, kemi bërë përparime, por është koha që të bëjmë edhe më shumë. Si fqinj që ndajmë një kufi sigurinë e kemi të ndërlidhur. Bashkëpunimi në çështjet e sigurisë është i rëndësishëm, krimi i organizuar nga aktorë të kqinj përbëjnë kërcënimet për neve, dhe këto sfida mund t’i adresojmë bashkë”.
Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i marrëveshjeve”.
Ai njoftoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut do t’i nënshkruajnë dy memorandume dhe një protokoll në fushat e energjisë, arsimit dhe lehtësimit të lëvizjes së lirë, të cilat do të zbatohen nga janari 2025.
Edhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, i lartësuan bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të tyre duke e cilësuar si “familjare”, gjatë një takimi të përbashkët të dy qeverive të hënën në Prishtinë.
Kryeministri maqedonas tha se kanë treg të përbashkët prej 17-18 milionë euro, dhe shtoi se u pajtua me Kurtin gjatë një takimi dypalësh që ky bashkëpunim tregtar të rritet në rreth 500 milionë euro.
“Nëse punojmë së bashku do të jemi më të fuqishëm, meqë uniteti i bën fqinjët edhe më të fuqishëm. Synojmë që bashkëpunimi tregtar të jetë edhe më i madh në vitet në vijim dhe do të na sjellë përfitime. Jam i bindur që do t’ia dalim”, tha Mickoski.
Ai shto se “marrëdhëniet mes dy shteteve tona, lidhjet jo vetëm shtetërore por edhe familjare midis popujve në të dyja anët e kufirit, mendoj se janë vlerë e shtuar dhe urë që do të na përafrojë edhe më shumë në vitet e ardhshëm”.
Mickoski tutje tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis të dyja vendeve.
“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim.
Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë.
Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e po ashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi.
Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”.
/Monitor (https://monitor.al/kosova-dhe-maqedonia-e-veriut-nga-1-janari-me-pikekalime-te-perbashketa-kufitare/)
Më të lexuarat








