Eurostat: Inflacioni në tetor 2.3 për qind në Shqipëri, njësoj si në BE
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së Eurostat, në muajin Tetor të vitit 2024 regjistrohet në 2.3%.
Nga të dhënat rikujtojmë se inflacioni po për të njejtin muaj të këtij viti sipas metodologjisë së ‘INSTAT’ është 1.9%.
Nisur nga shifrat shohim se inflacioni sipas metodës europiane nga ‘Agjencia Europiane të Statistikave’është i pandyshuar nga muaji Shtator i po të njejtit vit.
Rikujtojmë se në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria është barazuar me kufirin mesatar të Bashkimit Europian.
Këtë e pohojnë edhe shifrat e këtij treguesi për muajin Tetor, ku rezulton se mesatarja e rritjes së çmimeve në Europë për të njëjtin muaj regjistrohet në 2.3%.
Rikujtojmë se edhe në muajin Gusht të po këij viti inflacioni ka qenë në të njejtat nivele me BE-në.
Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë janë Rumania me 5%, Serbia me 4.6% dhe Maqedonia e Veriut po me 4.6%.
Në nivel rajoni, më mirë së Shqipëria paraqitet Mali i Zi me një normë të rritjes së çmimeve deri në 1.8%. Nga ana tjetër, inflacioni në Kosove vlerësohet në 0.4%.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 4.1% vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3.7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.6%, “Veshje dhe këpucë” me 3.3%,
“Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3.0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.0%, “Shëndeti” me 1.7%, “Shërbimi arsimor” me 1.1%,
“Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.9%, “Komunikimi” me 0.7%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3.1%. /Scan