
Anketa e Investitorëve të huaj, rritet ndjeshëm burokracia në vend
Pavarësisht se pothuajse çdo veprim me administratën në vend ka kaluar online, bizneset e huaja perceptojnë se në vitin 2024 ka pasur një rritje të ndjeshme të burokracisë në vend.
Përfaqësuesit e biznesit besojnë se ka një rritje të nivelit të burokracisë me të cilën përballen, duke arritur 64 pikë nga 100, 21 pikë më shumë krahasuar me vitin 2023, ku kishte 43 pikë në të njëjtën shkallë.
Sondazhi tregon gjithsesi një përmirësim të lehtë të ambientit për të bërë biznes në vend, por ai mbetet nën mesataren në shkallën e favorizimit, duke mos e kaluar nivelin e 50, nga 100 që është treguesi maksimal.
Anketa për Mjedisin e Biznesit në Shqipëri 2024 u realizua gjatë muajve Gusht – Tetor 2024 përmes përfshirjes së komunitetit të investitorëve të huaj në vend.
Gjetjet u prezantuan nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Confindustria Albania, Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri dhe Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri.
Të anketuarit kryesorë të këtij sondazhi ishin bizneset e huaja të rëndësishme në Shqipëri, në sektorët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit,
industrive të rënda dhe minierave, energjisë dhe mjedisit, shërbimeve financiare, tregtisë, logjistikës, turizmit, shërbimeve konsulente etj.
Investitorët e huaj vlerësojnë situatën aktuale të të bërit biznes në Shqipëri me 49 nga 100 pikë, me një rritje prej 3 pikësh krahasuar me vitin 2023 (46 pikë), megjithatë nuk arrijnë të kalojnë mesataren në shkallën e e favorizimit.
Kur shikohen pritshmëritë për klimën e biznesit në të ardhmen, arrijnë të njëjtin rezultat si vitin 2023, me 52 pikë nga 100, edhe në vitin 2024.
Në aspektin e situatës makroekonomike globale dhe kombëtare, investitorët e huaj konsiderojnë “zhvlerësimin aktual të euros dhe ndikimin e tij në biznesin e tyre”, si edhe “ndikimin e normës së lartë aktuale të inflacionit”,
si dy çështjet më të rënda me ndikim në biznesin e tyre, me një ulje të vogël në shkallën e intensitetit, krahasuar me anketën e vitit 2023.
Duke parë faktorët e brendshëm, përfaqësuesit e biznesit besojnë se ka një rritje të nivelit të burokracisë me të cilën përballen, duke arritur 64 pikë nga 100, 21 pikë më shumë krahasuar me vitin 2023, ku kishte 43 pikë në të njëjtën shkallë.
Deri në 69% e përfaqësuesve të bizneseve pohojnë gjithashtu se informaliteti është i pranishëm në sektorët ku ata operojnë. Rendi dhe siguria janë dimensionet me performancë më të mirë në këtë kategori,
ku 33% përgjigjen që përballen me probleme në këtë drejtim, megjithatë, intensiteti i këtyre problemeve është vlerësuar me 61 pikë nga 100 në të njëjtën shkallë.
Për më tepër, mbi 63% e të anketuarve besojnë se qeveria nuk është transparente në një nivel të mjaftueshëm ndaj biznesit të tyre. Kur mendohet
për të bërë biznes në Shqipëri, vihet re një përmirësim prej 7 pikësh për klimën politike shqiptare, e konsideruar si problematike me 49 pikë, krahasuar me 56 në vitin 2023, në shkallën e intensitetit.
Gjyqësori shqiptar, nga ana tjetër, ka marrë 55 pikë, me një rritje prej 12 pikësh krahasuar me 43 pikë në vitin 2023.
Seksioni i furnizimit me energji në sondazhin e vitit 2024 sheh një përmirësim të përgjithshëm në krahasim me vitin 2023, me të gjitha dimensionet që nuk e kalojnë vijën e mesme të intensitetit në shkallën e vlerësimit.
Situata nuk duket shumë pozitive kur vlerësohet sistemi tatimor në vend, me vetëm 3 dimensione nga 9 të vlerësuara që kalojnë pak mesataren e intensitetit në shkallën e vlerësimit.
Konkretisht, “Frekuenca e ndryshimeve të legjislacionit dhe praktikave tatimore dhe ndikimi i tij në biznes” (55 pikë), “Rëndësia dhe qartësia e vendimeve / interpretimeve të lëshuara nga autoritetet tatimore dhe ndikimi i tyre në biznes” (51 pikë),
dhe “Niveli i ndërlidhjes/ komunikimit ndërmjet platformave / institucioneve qeveritare të ndryshme” (51 pikë).
Kur shikojmë marrëdhëniet me institucionet shqiptare, edhe pse vetëm 1 dimension kalon vijën e mesme në shkallën e intensitetit (Kapacitetet e institucioneve, vendore apo qendrore, si edhe niveli i ekspertizës së zyrtarëve publikë, në kryerjen e funksioneve të tyre, me 56 pikë),
ka një ulje të vogël të performancës së përgjithshme në këtë drejtim, në pothuajse në të gjitha dimensionet e vlerësuara.
Situata në lidhje me tregun e Punës në Shqipëri është sërish ndër dimensionet më të dobëta të vlerësuara nga investitorët e huaj, konkretisht kur bëhet fjalë për rritjen e pagave në vend,
që ka marrë 65 pikë në shkallën e intensitetit, një rritje prej 21 pikësh krahasuar me 44 pikë në vitin 2023.
Gjithashtu, kur shihet aksesimi i fuqisë punëtore të kualifikuar / të trajnuar dhe ndikimi i saj në biznes, ajo ka marrë 74 pikë, 5 pikë më shumë krahasuar me 69 pikët e vitit 2023.
Situata në lidhje me strategjitë dhe stimujt pro-biznesit ndihet në rastin më të mirë “e vakët”, me investitorët e huaj që vlerësojnë ndikimin e reformave dhe politikave ekonomike shqiptare ndaj biznesit të huaj me 48 pikë (rritje e lehtë me 1 pikë krahasuar me vitin 2023),
po ashtu vlerësimi i politikave dhe stimujve për nxitjen e investimeve është 45 pikë (ulje e lehtë me 2 pikë, krahasuar me vitin 2023).
Investitorët e huaj nuk presin ndryshime të mëdha në ekonominë shqiptare në vitin e ardhshëm, duke marrë 55 pikë në një shkallë ku 0 = dobësohet ndjeshëm dhe 100 = përmirësohet ndjeshëm.
Kjo pasohet nga një optimizëm i vogël për rritjen e xhiros së biznesit, e cila pritet të rritet në masën 60 pikë në një shkallë ku 0 = ulet ndjeshëm dhe 100 = rritet ndjeshëm.
Rezultatet e sondazhit u prezantuan në prani të Shefit të Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri Z. Hubert Perr, Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Znj.
Delina Ibrahimaj, Zëvendësministrit për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin Z. Enkelejd Musabelliu, si edhe të ftuarve të tjerë të shquar dhe përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri.
/Monitor (https://monitor.al/anketa-e-investitoreve-te-huaj-rritet-ndjeshem-burokracia-ne-vend/)
Më të lexuarat








