Secondary Adv

2024, Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon pas Malit të Zi

Pas pandemisë Covid -19 borxhi publik i Shqipërisë u ul me shpejtësi nga ritmet e larta të rritjes ekonomike dhe performanca e mirë fiskale.


Një situatë të ngjashme kanë kaluar edhe vendet e Rajonit, dukë bërë që Shqipëria të ruajë renditjen si vendi me borxhin publik më të lartë në Rajon pas Malit të Zi.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se Mali i Zi megjithë de-stabilitetin politik të viteve të fundit ka mundur të ulë borxhin publik më shumë se çdo vend tjetër në Rajon duke e çuar në 61.7 % në tremujorin e parë të vitit 2024 nga 105.3% e PBB-së që ishte në vitin 2020, me ulje 43.6 pike%.

 

Pas Malit të Zi, Shqipëria shënoi uljen më të fortë të borxhit duke e çuar atë në 56.3% të PBB-së në tremujorin e parë 2024 nga 73.9 % që ishte me 2020, me ulje -17.6 pikë %.

 

Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe balancat fiskale u përmirësuan pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për pesë muajt e parë të vitit 2024, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, sipas Bankes Boterore.

 

Për tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me fundin e vitit 2023, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë nominale të PBB-së.

 

Ulja e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Serbi dhe Shqipëri. Raporti i borxhit publik mbeti më i larti në Mal të Zi, i ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

 

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. 

 

Megjithatë, ato e kanë pasur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike.

 

Në tremujorin e parë të vitit 2024, PBB-ja e rajonit u përshpejtua në 3.9% në terma 6 vjetorë, nga 3.2% që rezultonte në tremujorin paraardhës. 

 

Rritja e PBB-së u përshpejtua më së shumti në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi.

 

Investimet u rritën ndjeshëm në pothuajse të gjitha ekonomitë, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut.

 

 Në tremujorin e parë të vitit 2024, shkalla e papunësisë ra në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në përputhje me përshpejtimin e aktivitetit ekonomik, punësimi mesatar vjetor në Ballkanin Perendimor u rrit ndjeshëm në 2.5%, 

 

ndërkohë që edhe pjesëmarrja e fuqisë punëtore pati rritje. Në përgjithësi, normat e papunësisë në rajon mbetën në nivelet më të ulëta historike.

 

Për tremujorin e parë të vitit 2024, inflacioni mesatar vjetor në rajon u ngadalësua më tej, në 4.1%.

 

Rënia e normave të inflacionit brenda intervalit të objektivit u mundësoi bankave qëndrore në Shqipëri dhe Serbi të fillojnë lehtësimin gradual të politikës monetare.

 

/Monitor (https://monitor.al/2024-shqiperia-me-borxhin-me-te-larte-ne-rajon-pas-malit-te-zi/)


Më të lexuarat